Sveçla takon emisarin Escobar, tregon se çfarë biseduan

Ministri Punëve të Brendshme të vendit, Xhelal Sveçla është takuar me zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ministri me këtë rast ka njoftuar Escobarin për arritjet në MPB, teksa diskutoi edhe për situatën në Ukrainë dhe garancinë e Kosovës për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Postimi i plotë:

Gjatë këtij takimi e falënderova z. Escobar për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite. Theksova gjithashtu nevojën për të forcuar më tej aleancën me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët. Gjatë këtij takimi u bisedua për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.

Me z. Escobar diskutuam edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë sonë për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit. Z. Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina. Në fund, të dy u dakorduam që të intensifikojmë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë.

Go to TOP