Sot mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit për të zgjedhur kryesuesin
Asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të mblidhen sot për të votuar kryesuesin.
Mbledhja pritet të fillojë në ora 10:00.
Deri më tani, Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve në krye me Alban Hysenin nuk kanë arritur që të bëjnë koalicion, ani pse ishin në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës.
Më të dalë fitues i zgjedhjeve, Hyseni kishte deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në në këtë komunë. Ai pati deklaruar se e përjashton koalicionin me LDK-në meqë me të kanë qenë në garë të drejtpërdrejtë.
Kujtojmë që më 9 dhjetor, Hyseni u betua si kryetar i Komunës së Gjilanit e i cili mori detyrën nga Lutfi Haziri i cili kishte qeverisur me këtë komunë për tetë vite.
Kujtojmë që edhe Komuna e Gjilanit kishte shkuar në raundin e dytë zgjedhjeve që u mbajtën me 14 nëntor e që fitues nxorën Alban Hysenin.
Në raundin e dytë, Hyseni nga Vetëvendosje mori besimin e 21 mijë e 800 gjilanasve apo 51,10 përqind të votave. Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48,90 përqind.
Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë edhe në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më 17 tetor. Hyseni kishte siguruar 19 mijë e 57 vota, ndërsa Haziri 18 mijë e 546.
Comments