Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën kryesore, në Uglar të Zubin Potokut.

Nga ky shpërthim është dëmtuar një kanal i Ibër-Lepencit, çka ka shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë.

Izmir Zeqiri, kryetar i Komunës së Zubin Potokut, konfirmon për RTK-në që është e rrezikuar një shtëpi dhe që banorët e saj janë evakuuar.

Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë në Mitrovicë, ka thënë për RTK se pas shpërthimit prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Pas ngjarjes, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekipet e Policisë, është në kontakt dhe bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale dhe Policinë. Gjithashtu, është duke u punuar për zbardhjen e te gjitha rrethanave te këtij rasti”, tha Preteni.

Kurse Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, nga i cili kanal qytetarët e Mitrovicës furnizohen me ujë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Kjo kompani fton qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.

Ndryshe në dy ditët e fundit, në veri, ka pasur disa incidente të tjera, ku në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës. Policia  e Kosovës ka njoftuar të premten se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin.

Go to TOP