Serbia me Rusinë në takimin e OSBE-së

Përfaqësuesit e Serbisë kanë qëndruar në sallën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë, kur përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të tjera janë larguar nga takimi ,në shenjë proteste pas deklaratave të Rusisë për pushtimin rus.

Siç mëson REL, në një takim të brendshëm të OSBE-së në Vjenë për luftën në Ukrainë, të mbajtur më 24 shkurt, Rusia ka këmbëngulur në interpretimet e saj për pushtimin e Ukrainës, pas të cilit veprim përfaqësuesit e vendeve perëndimore janë larguar nga takimi.

Përfaqësuesit nga Serbia kanë qenë në mesin e disa përfaqësuesve të disa vendeve që nuk janë larguar nga takimi.

Vendet që kanë qëndruar me Rusinë, përveç Serbisë, janë: Bjellorusia, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.

Në takim kanë mbetur edhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë dhe ata të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Beogradi zyrtar ende nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e tij në lidhje me sulmet ruse në Ukrainë. Mediat në Serbi kanë raportuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të shpallë qëndrimin e tij mbrëmjen e 25 shkurtit.

Serbia dhe Rusia ruajnë marrëdhënie të nivelit më të lartë.

Beogradi zyrtar refuzon të harmonizojë politikën e tij me atë evropiane, edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rusia po e mbështet Serbinë duke bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por zyrtarët serbë refuzojnë ta njohin atë si shtet.

Serbia është, gjithashtu, plotësisht e varur nga gazi rus, të cilin e merr përmes Rrjedhës Turke.

Go to TOP