Protestojnë punëtorët e KEK-ut: Synimi ynë është t’i themi jo manipulimeve

Punëtorët e shërbimit të sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar sot për të kërkuar të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj.

Me pankarta në duar që mbanin mbishkrimin “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, “Ne jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të objektit të Qeverisë.

Nga qeveria po kërkohet që ta kthejnë kokën nga këta punëtorë dhe të mos diskriminohen, në të kundërtën ata kanë paralajmëruar që prej 24 marsit mund të hynë në grevë.

Kryetari i Shoqatës Sindikale Mbrojtja dhe Siguria, Haki Azemi, tha se qëllimi i protestës është që t’i thonë stop manipulimeve dhe diskriminimeve.

“Ndaj këtij shërbimi të sigurimit asnjëherë nuk ju ndalen padrejtësitë, jemi sot këtu me një synim dhe qëllim të vetëm t’i themi stop manipulimeve dhe keqpërdorimit me shërbim të sigurimit të KEK-u. Askush nuk ka të drejtë me na mbajte peng i disa grupeve të interesit brenda KEK-ut dhe kanë kaluar edhe shkallët e KEK-ut, sepse me punën dhe angazhimin tonë ne e mbrojmë, e sigurojmë përbrenda dhe nga jashtë KKEK një korporatë që ja ka lakmi çdo shtet tjetër”.

“Çfarë rëndësi ka Korporata për Kosovën më së miri u pa në krizën globale energjetike. Me qindra miliona euro nga shteti të paguara për furnizim të rregullt me energji elektrike. ne jemi pjesë e saj, ishim dikur, ne me të drejtë kërkojmë por me të drejtë kërkojmë të jemi prapë, të kthehemi aty ku ishim dikur sepse padrejtësisht na kanë ndarë, tjetërsuar dhe për interesa të grupeve që und di me i thirr kriminale të disa individëve të cilët ishin shumë të ngushtë me qeverisjet e kaluar dhe me anën e tenderëve na kanë tenderuar, na kanë shtiru dhe na kanë rraskapitur dhe në fund na kanë plaçkitur. Na kanë plaçkitur e them me plotë gojën sepse në 2004 kur jemi ndarë, kur padrejtësisht na ka ndarë KEK nga gjiri vet, sot i kemi pagat e njëjta të atij viti. A ka logjikë normale, a ka njeri normal që thotë që shporta e viti 2004/2006 është e njëjta me ditët e sotit. Normal nuk ka”, tha ai.

Tutje ka vazhduar se “Për hir të shtetit ne do ta bëjmë të pamundur që KEK të punojë lirshëm dhe me siguri të plotë nga jashtë dhe brenda[…]kërkojmë nga qeveria, ministria përkatëse dhe menaxhmenit që ta kthejnë kokën nga ky shërbim dhe nga këta punëtorë sepse do të punojmë për atë se më nuk do të mbizotërojë politika por ligji. Nuk kërkojmë asgjë tjetër përveçse të zbatohen ligjet e aplikueshme të Kosovës[…]Jemi të vendosur që nuk do të privatizohemi. Në qofte se kërkesat tona hasin ne vesh të shurdhër jemi të detyruar të bëjmë një grevë. Nëse nuk realizohen kërkesat tona nga këtu, me datë 24 mars do hyjmë në grevë”.

Kryetari i Sindikatës KEK-ut, Nexhat Llumnica, kërkon nga Qeveria e Kosovës për ndryshim që t’i përgjigjet kërkesave të tyre.

“Ky departament është huazuar ne vitin 2004 2 plus 1, mirëpo asnjë e drejtë nuk qenë në atë ligj. Nëse dje ka qenë e padrejtë tenderimi ligji i Kosovës nuk ka ndryshuar prandaj ende kemi te drejtë. Lus Qeverinë, bordin menxhues të realizojë kërkesat tona…Nuk kemi punëtorë vetëm pensioner, kemi edhe të rinj”, thotë ai.

Go to TOP