Petkoviq-Gërvallës: I vetmi destabilizues është Albin Kurti, duke e mbrojtur Shqipërinë e Madhe

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla mori pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.

Gjatë këtij takimi, Gërvalla ka deklaruar se lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.

“Javën e kaluar morëm pjesë në Forumin e Sigurisë në Halifax të Kanadasë për të alarmuar zyrtarët e NATO-s dhe të SHBA-vë, senatorët, partnerët dhe aleatët e tjerë. Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë më me një krizë, e cila do të zgjidhet vetëm duke dërguar në rajon disa diplomatë. Thjesht kemi pritur tepër gjatë dhe ngritja e mjeteve ushtarake, politike dhe propagandistike ka vazhduar për më shumë se një dekadë. Duhen të merren hapa të guximshëm ndaj atyre që po nxisin destabilizimin e vendeve fqinje këtu në rajon, si Serbia dhe Rusia, pjesërisht Kina, për ta zbutur këtë rrezik të madh”,tha Gërvalla.

Ajo gjithashtu theksoi se është e dhimbshme, por fatkeqësisht e vërtetë: lufta është kthyer sërish në kërcënim real për Ballkanin.

“Asnjëherë që nga vitet e 90-ta fjala luftë nuk është përmendur kaq shpesh sa tani. Dhe asnjëherë që nga vitet e 90-ta, udhëheqësia agresive dhe nacionaliste e Serbisë nuk e ka përdorur një gjuhë kaq të ngjashme me atë të përdorur nga Millosheviqi. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta propaganda agresive nacionaliste për audiencën serbe nuk është përgatitur në mënyrë kaq strategjike nga qeveria në Beograd. Duhet t’i shikojmë thjesht përpjekjet e Dodikut, Vuçiqit dhe Putinit në Bosnjë dhe e shihni se copëtimi i shteteve, i iniciuar nga Serbia dhe Rusia, është në tavolinë”, tha më tej ministrja.

E lidhur me këtë deklaratë ka reaguar përfaqësuesi i Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

Petkoviq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , po flet për destabilizimin e rajonit dhe se ai personalisht inkurajon dhe kërcënon paqen rajonale.

“Donika Gërvalla, i vetmi rajon destabilizues është Albin Kurti duke e mbrojtur Shqipërinë e Madhe e duke refuzuar marrëveshjet e Brukselit, duke vendosur forca speciale të armatosura deri në dhëmbë kundër qytetarëve të paarmatosur në veri të Kosovës”, tha Petkoviq, transmeton lajmi.net.

Ai gjithashtu shtoi se “Albin Kurti personalisht po e nxit dhe kërcënon paqen rajonal dhe zhvillimin ekonomik”.

Go to TOP