Papa udhëzon prindërit që të mos ndëshkojnë fëmijët e tyre homoseksualë

Papa Françesku u bëri thirrje prindërve të mërkurën (26 janar) që të mos i ndëshkojnë fëmijët e tyre nëse janë homoseksualë, në gjestin e tij të fundit lidhur me komunitetin LGBTQ, i cili prej kohësh është margjinalizuar nga hierarkia katolike.

Françesku foli hapur në adresimin e tij të përgjithshëm, kushtuar figurës së Shën Jozefit, babait të Jezusit.

Françesku tha se po mendonte veçanërisht për prindërit që përballen me situata “të trishtuara” në jetën e fëmijëve të tyre.

Duke përmendur prindërit që duhet të përballen me fëmijët që janë të sëmurë, të burgosur ose që vriten në aksidente automobilistike, Françesku shtoi: “Prindërit që shohin se fëmijët e tyre kanë orientime të ndryshme seksuale, si e menaxhojnë atë dhe i shoqërojnë fëmijët e tyre dhe nuk fshihen pas një qëndrimi ndëshkues” “Asnjëherë mos e ndëshkoni një fëmijë,” tha ai.

Qëndrimi zyrtar i kishës bën thirrje që burrat dhe gratë homoseksuale të respektohen dhe të duhen, por e konsideron aktivitetin homoseksual “të çrregulluar thellësisht”.

Megjithatë, Françesku ka kërkuar ta bëjë kishën më mikpritëse për homoseksualët, edhe me komentin e tij të famshën të vitit 2013 “Kush jam unë për të gjykuar?”

Jezuiti argjentinas ka folur gjithashtu për shërbimin e tij ndaj homoseksualëve dhe transgjinorëve, duke këmbëngulur se ata janë fëmijë të Zotit, të dashur nga Zoti dhe që meritojnë shoqërimin nga kisha.

Megjithatë , Françesku lejoi gjithashtu publikimin e një dokumenti në vitin 2021 nga Vatikani që pohonte se Kisha Katolike nuk do të bekojë bashkimet ose martesat e së njëjtës gjini sepse Zoti “nuk mund të bekojë mëkatin”.

Françesku kohët e fundit transferoi zyrtarin e Vatikanit që besohet gjerësisht se qëndron prapa këtij dokumenti.

Go to TOP