Pamje nga ushtrimet masive të Iranit: Raketa të shumta nga toka, ajri e deti

Irani ka zhvilluar ushtrime ushtarake 5-ditore duke hedhur madje edhe raketa balistike. Gjeneralët iranianë kanë thënë se këto ushtrime janë paralajmërim për Izraelin.

Britania e Madhe reagoi duke thënë se përdorimi i raketave balistike është shkelje e qartë e rregullave të OKB-së dhe  kërcënim për sigurinë ndërkombëtare, raporton “Metro UK”.

“Këto ushtrime janë hartuar për t’iu përgjigjur kërcënimeve të bëra ditëve të fundit nga regjimi zionist (Izraeli)”, tha komandanti i forcave të armatosura të Iranit, Major Gjeneral Mohammad Bagheri.

“Gjashtëmbëdhjetë raketa e shënjestruan dhe e asgjësuan cakun. Në këtë ushtrim u përdorën një pjesë e qindra raketave iraniane, të afta për shkatërrimin e një vendi që do të guxonte ta sulmonte Iranin”, shtoi ai.

Ushtrimet e quajtura “Profeti i Madh” filluan të hënën në provincat Bushehr, Hormozgan dhe Khuzestan, të gjitha me dalje në Gjirin Persik, shkruan France24, përcjell Kosova.info.

“Ushtrimi ushtarak është paralajmërim serioz për zyrtarët e regjimit zionist. Bëjeni gabimin më të vogël, do t’ua presim dorën”, tha komandanti i Rojave Revolucionare, Gjeneral Hossein Salami.

Këto ushtrime u mbajtën pasi këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, u takua të mërkurën me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, në kohën kur Izraeli po i kundërshton përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore mes Iranit e fuqive botërore të vitit 2015.

Kryeministri izraelit e ka akuzuar Iranin për “shantazh bërthamor dhe ka pretenduar se Irani do t’i përdorte të ardhurat nga heqja e sanksioneve për prodhimin e armëve për t’i lënduar izraelitët.

Go to TOP