Paga minimale, PDK parlajmëron veprime: Qeveria ta tërheq projektligjin, askujt nuk i duhen trazirat

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për ta pamundësuar kalimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale, i cili do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha në një konferencë për media se “askujt nuk i duhen trazirat”, duke iu referuar protestës së veteranëve, që nuk përfshihen në këtë projektligj.

“Besoj që do të dominoj arsyeja te partia në pushtet për shkak se askujt nuk i duhen trazirat në vend. Askush nga ne nuk dëshirojmë të kemi protesta në rrugë për çështje sociale”, tha ai, duke i bërë thirrje mazhorancës që ta tërheq projektligjin për plotësim.

Qeveria propozon 250 euro pagë minimale, por PDK-ja kërkon nivel më të lartë.

“Kërkojmë që niveli i pagës minimale të ngritet. Të ngritet kjo shumë në 300-350 euro minimum”, tha Qalaj.

Ai parajmëroi se nëse mazhoranca nuk e përfill kërkesën e tyre për tërhqejen e projektligjit, do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike në kundërshtim.

“Ne do ta kundërshtojmë. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike në mënyrë që ky ligj si i tillë të mos kalojë. Dhe besoj që do të koordinohemi edhe me partitë tjera opozitare”, tha Qalaj.

“Dëshiroj të besoj dhe i bëj thirrje shumicës parlamentare që ta kthejmë këtë ligj për plotësim”, theksoi ai.

Përveç nivelit të pagës, Qalaj tha se ky projektligj është i papranueshëm “për shumë arsye”.

“Synohen të ndryshohen disa ligje pa ndonjë kriter”, tha ai ndër tjerash.

Qalaj e akuzoi Qeverinë se po i përjashton qëllimisht disa kategori nga ky projektligj, duke përmendur veteranët dhe të paralizuarit.

Ai kujtoi gjithashtu se Kurti kishte premtuar pagë minimale 350 euro.

Pika e parë e rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit është votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Seanca e Kuvendit është paraparë të fillojë në orën 11:00.

Go to TOP