Nëna e jetës, dashurisë dhe paqes – Shën Nëna jonë Tereze

Shkruan: Don Lush GJERGJI

Sivjet, në 25– vjetorin e “kthimit në Shtëpinë e Atit” të Nënës Tereze, do ta shqyrtojmë, vlerësojmë, mundësisht edhe imitojmë atë në këto këndvështrime:paqja me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten, si burim dhe fryt jete dhe dashuri, sipas shembullit dhe dëshmisë së saj ndër ne dhe në botë, si dhe kontributi i saj për tolerancë, edhe me shumë vëllazëri ndërshqiptare. 

Para se ta shqyrtojmë këtë histori dhe mrekulli, shtrohet pyetja: nga mori Gonxhja jonë mendime, porosi, qëndrime dhe përcaktime të tilla? 

Dy janë burimet e pashtershme në jetën dhe veprimtarinë e saj, Zoti – Dashuri dhe Vëllai apo Motra – Njeri. Frymëzimi erdhi prej traditës, kulturës dhe qytetërimit të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar, nga Kanuni ynë, i begatuar dhe fisnikëruar nga Ungjilli i Jezu Krishtit, identifikimi i tij me çdo njeri: Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua.” (Mt 25, 40)

Me fjalë tjera familja Bojaxhiu, baba Kolë dhe nëna Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, pastaj famullia e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, me meshtarë të mirë dhe shembullor, janë “djepi” ku ajo lindi dhe u rrit për universalizëm, vëllazëri gjithë-shqiptare, edhe gjithë-njerëzore, për “ungjill” të gjallë dhe veprues.

Mu për këtë ne si shqiptarë, pa dallim feje apo shteti dhe vendi, jemi vëllezër – motra, pra, jo vetëm toleranca apo dialogu ndër-shqiptar, që për ne është shumë pak, por edhe më tepër vëllazëria gjithë-shqiptare, që erdhi në shprehje botërore me Shën Nënën Tereze, 

Fetarja dhe kombëtarja, janë harmonikisht të ndërlidhura dhe shprehen kështu: të gjitha për Zotin – Dashuri, si dhe për Vëllain apo Motrën – Njeri.

Nëna e Jetës

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës, prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj“Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Rreziku i parë i jetës është mospranimi dhe shkatërrimi i jetës së fëmijëve ende të palindur, aborti apo dështimi. Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit. “Patëm mysafirë dhe e pamë Zotin.” “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”: “Mirë se të ka prue Zoti!”.

Këtë parim ungjillor dhe fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979). Ajo  para gjithë botës, me guxim, bindje, përkushtim dhe dashuri ka thënë kështu: “Shkatërruesi më i madh i paqes sot është vaji i fëmijëve të pafajshëm të pa lindur. Sepse, nëse një nënë mund ta vras fëmijën në kraharorin e saj, çfarë na ndal ty dhe mua që të vrasim njëri-tjetrin? … Për mua kombet që kanë legalizuar abortin, janë kombet më të varfra. Ata kanë frikë nga një fëmijë, ata janë të frikësuat nga fëmijët e pa lindur dhe ata duhet të vriten, sepse ata nuk donë ta ushqejnë një fëmijë më shumë, ta edukojnë një fëmijë më shumë, dhe fëmija duhet të vdes Aborti është fillimi i të gjitha të ligave në botë”.

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës,  dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi shpirtërordhe kulturor i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet,mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt, vegël pune dhe përfitimi, se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa ekujdesit dhe dashurisë, vetmia… Nëse vejmë në veprim dashurinë, nëse jetojmë dhe bëjmë çdo gjë për Jezusin, atëherë jeta jonë bëhet shërbim për Zotin dhe për vëllezërit tanë”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aqsaqë unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin. Unë jam më e lumtura në botë sepse, 24 orë në ditë jetoj me Jezusin dhe për Jezusin… Ai për mua është çdo gjë që unë jam dhe kam. Ai është zemra dhe jeta ime, buka e jetës. Atë unë e shoh, njoh, dua dhe shërbej në çdo njeri, sidomos në të varfër ndër më të varfër, në të gërbulur, në ata që janë në buzë të vdekjes…”

Nëna e Dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, për ne të krishterët, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.

Sipas Nënës Tereze, feja pa dashuri është si kandili pa vaj, si trupi pa shpirt, si jeta pa frymëmarrje. “Sekreti im është Jezusi, dashuria e tij për ne… Çdo gjë për Jezusin, apo ungjilli në pesë gishta: Ç’do të bëj sot për Zotin?” .

Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: Dashnija fillon në familje  Dhe familja që lutet bashkë, mbetet bashkë”.

Nëna e Paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim. Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, edhe më mirë, jeta dhe vepra e Jezu Krishtit nëpërmjet saj, si “ungjilli i pestë”, që aqbindshëm ka dëshmuar në mbarë botën nëpërmjet jetës, dashurisë dhe paqes. 

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë vepra të vogla me dashuri të madhe.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Buzëqeshja kushton pak por dhuron shumë.”

“Nëse nuk e gjejmë paqen, kemi harruar që jemi bijtë e Hyjit, pra, vëllezër apo motra me njëri-tjetrin”.

“Dikusmë pyeti: “Çka mund të bëj unë për Paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe Vëllain apo Motrën Njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e Paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi”.

“Sa e dhimbshme është jeta pa Zotin”.  

Deri tash  ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut të saj në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për imitim dhe uratë, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore.

Shën Nëna Tereze, lutu për ne, për Kishën dhe Popullin tonë, për botën mbarë!

Zagrebq, 12 nëntor 2022                                                         Don Lush GJERGJI

2

Go to TOP