Ndërprehet procedura në kontestin mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse Serbe
Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka ndërprerë procedurën në rastin ku Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), ka paditur Kishën Ortodokse Serbe, për vërtetimin e së drejtës së kthimit në shfrytëzim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha.
Shkak për ndërprerjen e kësaj procedure sipas gjykatësit Jovica Mitroviq, ka qenë që avokati nga Avokatura Shtetërore (AVSH), siç tha ai nuk mundet ta përfaqësoj UP-në.
Po ashtu, shkak tjetër sipas tij, ka qenë edhe mospranimi i ankesës që përfaqësusja e paditëses Ilire Aydogan tha se e kishte dorëzuar në këtë gjykatë më 29 shtator 2021, me të cilin e kishte kundërshtuar vendimin për hudhjen poshtë të padisë ndaj Komunës së Prishtinës.
Më tutje, gjykatësi Mitroviq tha se në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë konkretisht në nenin 67 dhe në bazë të nenit 8 të Ligjit për Avokaturën Shtetërore sipas tij, nuk i lejohet AVSH-së që të përfaqësoj UP-në me arsyetimin se i njëjti në këtë rastë është paditës.
Sipas tij, AVSH-së i lejohet të përfaqësoj UP-në vetëm në rastet kur e njëjta është e paditur e jo edhe kur është paditëse pasi që sipas tij, avokati shtetëror përfaqëson interesat e shtetit dhe për këtë ai tha se duhet ta konstatoj në proces, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.
Pas kësaj ka reaguar përfaqësuesja e UP-së Ilire Aydogan, e cila tha se që nga seanca ku ajo ka marrë pjesë është munduar që të jetë sa më e qartë lidhur me përfaqësimin e saj për shkak që siç tha ajo, të mos ndodhin shkelje procedurale dhe një konstatim i tillë sipas saj, do të ishte skandaloz.
Më tutje ajo tha se është e pa kontestueshme që AVSH, ka të drejtë ta përfaqësoj UP-në pasi që sipas saj, i njëjti është institucion në vete, mirëpo buxheti i saj ajo tha se ndahet nga Qeveria e Kosovës.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati shtetëror Sami Istrefi, i cili ka dhënë sqarime lidhur me të drejtën e përfaqësimit të AVSH-së.
Sipas tij, themelues i UP-së është Shteti i Kosovës, duke shtuar që sipas nenit 8 të Ligjit për Avokaturën Shtetërore avokati shtetëror ka të drejtë të përfaqësoj UP-në.
Po ashtu përfaqësuesja e UP-së Aydogan ka njoftuar se kishte dorëzuar në gjykatë ankesën kundër aktvendimit të datës 26 gusht 2021, duke shtuar se gjykata ka bërë shkelje në rastin kur ka vendosur që seanca të vazhdoj para se Gjykata e Apelit të vendos lidhur me këtë ankesë.
Pas dekalrimit të përfaqësuesve të UP-së gjykatësi Mitroviq tha se nuk ishte në dijeni për një ankesë të tillë, pasi që tha se të njëjtë nuk e kishte pranuar.
Më tutje ai tha se Komuna e Prishtinës ndaj vendimit për hudhjen poshtë të padisë kishte bërë ankesë dhe për këtë arsye tha se e kishte caktuar seancën e sotme.
Ndërsa sa i përket përfaqësimit të AVSH-së, ai tha se do të konsultohet me kolegët e tjerë dhe në seancën e radhës do të vendos lidhur me këtë çështje.
Pas kësaj ai tha se procedura në këtë rastë do të ndërprehet deri në vendosjen sipas ankesës së përfaqësueses së paditëses.
Në seancën e së mërkurës prezent ka qenë edhe përfaqësuesi i të paditurës avokati Aleksandar Radovanoviq, i cili ka kërkuar nga gjykata që t’i dorëzohet parashtresat dhe ankesa e përfaqësueses së paditëses dhe atë në gjuhën serbe.
E paditur në këtë rast ka qenë edhe Komuna e Prishtinës, por ndaj të njëjtës gjykata e ka hudhur padinë, me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Padia në këtë rast është ushtruar më 29 nëntor 2015. Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.
Në padi thuhet se Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së vetme, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh Nikolla Xh. Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.
Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.
Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Tutje në padi thuhet se këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.
Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë. Kërkon që prona t’i kthehet në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar, si dhe t’i kompensohen shpenzimet e procedurës.