Mehmeti: Do ndëshkohet kushdo që bie ndesh me ligjin, përfshirë zyrtarët policorë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka folur për aksionin e sotëm “Pika” ku janë arrestuar rreth 50 zyrtarë policorë të Kosovës.

Ky aksion i udhëhequr nga Inspektorati Policor i Kosovës së bashku me AKI-në, Doganën, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës ka rezultuar me mbi 50 të arrestuar, ndërsa Mehmeti thotë se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë.

“Policia e Kosovës vazhdon të ketë prioritet ngritjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të imazhit policor, forcimin e integritetit, duke identifikuar rreziqet dhe duke aplikuar masa brenda organizatës. Këtë e kemi arritur duke bashkëpunuar dhe duke ndërtuar ura lidhëse me institucione kompetence ashtu siç është vepruar edhe sot në rastin konkret duke bashkëpunuar ngushtë me PS dhe IPK, bashkëpunim ky që do të vazhdojë edhe më tej. Priotiteti ynë mbetet fuqizimi i integritetit policor, rritja e besueshmerisë dhe imazhit të policisë, duke luftuar edhe dukuritë negative të individëve të caktuar brenda organizatës të cilët kanë përgjegjësi individuale dhe nuk e paraqesin policinë e Kosovës si tërësi.”, tha Mehmeti.

Ai me tutje tha se policia do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe do të marr masa ndaj kujtdo që bie ndesh me ligjin.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë marrjen e masave ndaj kujtdo që bie ndesh me ligjin, duke përfshirë edhe zyrtarët e vet policorë.”, tha Mehmeti.

Go to TOP