Hoti: Rritje të çmimeve në secilin produkt, veprimet e gabuara të Qeverisë po rrisin barrën e jetës së qytetarëve

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se në Kosovë janë rritur çmimet, e sidomos në ato produktet ushqimore bazike.

Ai tha se brenda një viti çmimi i miellti është rritur në 29 përqind, buka në 17 përqind, vaji 46 përqind, nafta në 26 përqind e shumë të tjera.

“Një familje me rrogë mesatare shumicën e të ardhurave i shpenzon në këto produkte bazike dhe kjo do të thotë se fuqia blerëse dhe të ardhurat kanë rënë.Është rritur çmimi i rrymës, pra në bazë të evidencës së fakteve tarifa e ulët u rrit në 104% e larta në 85 përqind. Çmimet e plehrave, farave dhe specifikeve në minimum 25 përqind dhe kjo nënkupton se sivjet vështirë se do të mbahet prodhimi bujqësor sa ka qenë më herët.Tek fushat e investimeve, deputeti i VV-së, i përmendi disa shifra por unë u them realitetin sepse kam përshtypje sikur po jetoni në dimensione të tjera.Në sektorin publik nuk ka asnjë investim të madh që krijon efekte në të ardhura apo përfitime.Kemi parë bllokimin e OSHP-së që ka lënë të bllokuara miliona euro gjithandej në Kosovë Sa i përket investimeve të jashtme nuk ka asnjë brend të investitorit të jashtëm që ka ndodhur gjatë vitit 2021. Projekti i gazit është përmendur e do të mund të sillte 200 milionë euro nga MSS”, tha Hoti.

Tutje ai theksoi se nëse vazhdohet me këto veprime, ky vit dhe viti i ardhshëm do të jenë tejet të vështira për secilën familje.

“Përtej kësaj është rritur pasiguria në tregjet globale për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe rrjedhimisht edhe në mobilitetin e kapitalit. Jam i vetëdijshëm se këto probleme nuk i solli Qeveria, por veprimi i gabuar i Qeverisë e rëndon barrën për qytetarët. Bizneset asnjëherë nuk kanë qenë më të pasigurta sa i përket politikave fiskale. Ne mund të zgjohemi dhe të shohim se një ndërmarrje konfiskohet, ndoshta shteti ka të drejtë por këto bëhen në transparencë ndaj publikut e asaj ndërmarrje, sepse kjo qasje krijon pasiguri të madhe tek investitorë potencial edhe kur shteti ka të drejtë. Mund të shohim se ndërmarrjet shoqërore që presin ti marrin 20% bëhen pjesë e një Fondi që u garanton dështimin”, shtoi ai.

Go to TOP