Haxhiu ngushëllon familjen Jashari: Sahit Jashari do të kujtohet me nderim për kontributin në lirinë e Kosovës
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot familjen Jashari në Skenderaj për t’i shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.
Gjatë vizitës, Haxhiu vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Sahit Jasharit duke theksuar se ai i përkiste brezit të njerëzve që në periudhat më të vështira për Kosovën iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë.
Ajo tha se veprimtaria e tij në shërbim të atdheut dhe angazhimi për çlirimin e vendit do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të Kosovës.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentes u shprehu familjarëve ngushëllimet më të sinqerta duke theksuar se Sahit Jashari do të kujtohet me nderim për jetën dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Vdekja e Sahit Jasharit ka ngjallur reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga institucione shtetërore, figura politike dhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë vlerësuar rolin e tij në luftën për lirinë e Kosovës. /Kosova.info/
