Gjykata Speciale, më 18 mars deklaratat përmbyllëse të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka bërë të ditur se 18 marsi është caktuar si ditë kur Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të paraqesin deklaratat e tyre përmbyllëse.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Ajo ka thënë se në rastin e Gucatit e Haradinajt, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka dorëzuar dosjen përfundimtare më 3 mars.

“Deklaratat përmbyllëse të palëve janë planifikuar të mbahen prej 14 marsit, duke filluar në orën 9:30 deri më 18 mars. Gjatë deklaratave përmbyllëse, palët do të përpiqen të theksojnë aspektet më të rëndësishme të çështjeve të tyre dhe anëtarët e trupit gjykues mund të bëjnë pyetje. Të akuzuarit kanë të drejtë të flasin të fundit dhe deklaratat e tyre janë caktuar për 18 mars”, ka thënë Griep.

Tutje, ajo tha se më 7 mars, kryetarja Ekaterina Trendafilova e caktoi një panel të Gjykatës së Apelit pas apelit të Nasim Haradinaj kundër vendimit të trupit gjykues II, që urdhëronte vazhdimin e paraburgimit të tij.

Griep ka deklaruar se në rastin e Salih Mustafës, konferenca përgatitore e mbrojtjes për gjykim u mbajt bashkë me konferencën për statusin e viktimave më 8 dhe 9 mars për t’i diskutuar hapat e ardhshëm procedural.

“Trupi gjykues lëshoi një numër urdhrash gojor në këtë rast, përfshirë caktimin e 22 marsit si datë për deklaratën hyrëse të mbrojtjes, pastaj 23 marsin kur do të fillojë dhënia e dëshmisë nga dëshmitari i parë i mbrojtjes. Mbrojtjes iu caktuan gjithsej 36 orë për marrjen në pyetje të 17 dëshmitarëve të saj të autorizuar për të dhënë dëshmi”, ka thënë ajo.

Tutje, Griep tha se trupi gjykues e lejoi viktimën 0505 që t’i shpreh mendimet dhe shqetësimet e veta para trupit gjykues më 21 mars në orën 9:30 për një orë, identiteti i viktimës nuk do t’i zbulohet publikut.

“Përveç kësaj, trupi gjykues e ngarkoi Institutin e Mjekësisë Ligjore të Holandës për ta bërë vlerësimin e gjendjes shëndetësore psiqike dhe fizike dhe të dëmeve dhe lëndimeve të pësuara nga tri viktima dhe e urdhëroi institutin që ta përgatis një raport”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ky raport duhet t’i dorëzohet trupit gjykues deri më 13 maj dhe nuk e kushtëzon vendimin përfundimtar të trupit gjykues për pafajësinë ose fajësinë e të akuzuarit.

Sipas saj, më 4 mars, gjyqtari i procedurës paraprake në çështjen e Pjetër Shalës,  e caktoi 31 majin si datë paraprake deri në të cilën ai synon t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues.

Kurse, shtoi se seanca e ardhshme paraprake në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, është caktuar të mbahet më 24 mars.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Go to TOP