Dyshime për policë të korruptuar: IPK në operacion të gjerë me Prokurorinë Speciale

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se mëngjesin e së hënës ka nisur një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.

Siç bëhet e ditur në njoftim, operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit dhe bashkëpunim edhe me agjenci të tjera”, thuhet në komunikatën për media.

“IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor përderisa detaje të tjera shtesë lidhur me rrjedhën e këtij operacioni do të bëhen të ditura sot në orët e pasdites”.

Go to TOP