Ademi: Të luajturit kundër SHBA-së në Botëror do të ishte një nder i madh

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përshkruar shortin e Kupës së Botës 2026 në Washington D.C. si një moment emocionues dhe një nder të madh për Kosovën.

Ai ka theksuar rëndësinë e pranishmërisë së liderëve botërorë gjatë shortit, duke përmendur presidentin amerikan Donald Trump, presidenten meksikane Claudia Sheinbaum dhe kryeministrin kanadez Mark Carney.

“Ishte kënaqësi dhe nder për ne të ishim pjesë e këtij eventi, me një organizim spektakolar dhe të veçantë, siç di vetëm Amerika t’i realizojë”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Duke folur për rezultatin e shortit, kreu i FFK-së ka nënvizuar mundësinë që Kosova, në rast të kualifikimit, të përballet me Shtetet e Bashkuara. 

“Të luajturit kundër SHBA-së në Botëror do të ishte një nder i madh dhe emocion unik për mbarë kombin tonë”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Ademi ka potencuar se prioritet i Federatës është ndeshja e marsit ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-off-it në Bratislavë. “Gjithë përkushtimi është tek gjysmëfinalja e play-off-it ndaj Sllovakisë, sfida jonë e parë dhe më e rëndësishme drejt ëndrrës së madhe. Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari, për Kosovën!”, ka shkruar kreu i FFK-së. /Kosova.info/

Go to TOP