A është përmbushur premtimi për mbjelljen e 1 milion fidanëve? Tregon Presidenca

Para një viti, në Ditën Botërore të Mjedisit, tri institucione në Kosovë kishin nisur kampanjën për ambient më të pastër. Presidentja Vjosa Osmani bashkë me ministrin Liburn Aliu dhe Faton Peci kishin njoftuar se për një vit do të mbjellin 1 milion drunjë në gjithë vendin. Këtë e kanë konsideruar hap të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë u ishin bërë thirrje partnerëve të Kosovës që të bashkohen në këtë rrugëtim.

Presidenca ka dalë me një bilanc të të gjitha fidanëve të mbjellura gjatë një viti. Aty del që janë mbjellë 848.106 fidane brenda një viti, ndërsa thuhet se janë edhe katër muaj deri sa të bëhet një vit prej fillimit të mbjelljeve të fidanëve.

“365 ditë nga zotimi për mbjelljen e 1 milion dhe 8 muaj nga fillimi i mbjelljes së fidaneve të para. Kur kanë mbetur edhe 4 muaj deri në përmbushjen e një viti të plotë nga fillimi i mbjelljeve, nëpër komunat e Kosovës janë mbjellur tashmë 848,106 fidane të reja. Në këta muaj i kemi bashkuar forcat me FAO-n, EULEX-in, Lëvizjen për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të Kosovës #MosEMerrMalin, si dhe me vullnetarë të shumtë. Në muajt në vijim, do të vazhdojë bashkëpunimi me biznese, komuna dhe mërgatën”, tha ai.

Tutje thuhet se mbjellja do të vazhdojë.

“Puna dhe angazhimi për ripyllëzim e gjelbërim vetëm sa ka filluar. Ditë më të gjelbra, pyje më të mbrojtura e mjedis më të shëndetshëm janë angazhimet tona të çdoditshme. Vazhdojmë më tutje! Kjo është një nismë e përbashkët e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila është realizuar me mbështetjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës”, përfundon komunikata.

Në grafikën e bashkangjitur në këtë komunikatë shihet se në cilat rajone janë mbjellë më së shumti fidanë.

Go to TOP