25 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës

Para 25 vitesh, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, u nënshkrua marrëveshja tekniko-ushtarake që i dha fund luftës në Kosovë. 25 vjet pas kapitullimit të Serbisë, shqiptarët dhe serbët ende nuk i kanë normalizuar raportet, edhe pse kanë nënshkruar disa marrëveshje teknike e politike.

Në një organizim ndërmjet të rinjve, të mbajtur në vendin ku u arrit marrëveshja, shqiptarë e serbë propozojnë forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet popujve.

“Si sot më kujtohet, kisha fatin të takoja një toger të kontingjentit francez dhe më tha: “miku marrëveshja është arritur,  se për disa qaste do të kumtohej lajmi.  Unë menjëherë fillova ta përpiloj tekstin që ta kem gati dhe pastaj vetëm ta plasoj në opinion””, tha gazetari Nexhat Aqifi.

Gazetari Nexhat Aqifi ishte ndër të parët që e kishte kuptuar se marrëveshja në mes të NATO-s dhe ish-Jugosllavisë ishte arritur. Ai kujton që për këtë ngjarje kishin ardhur gazetarë nga e gjithë bota. 

“Me sa mbaj mend, natyrisht në kryetitullin e lajmit: “Në Kumanovë u arrit marrëveshja, më në fund ndërpritet lufta, kosovarët do të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai për RTK.

Marrëveshja e Kumanovës i dha fund luftës dhe ia solli lirinë Kosovës. E nënshkruar më 9 qershor, ajo ndaloi dhunën, përndjekjen e gjenocidit serb mbi shqiptarët, por edhe bombardimet e NATO-së mbi caqet serbe.

Në vitin 1999 pikërisht një vend në Kumanovë është shfrytëzuar si baza ushtarake e NATO-s. Po ashtu në atë vend edhe pse sot nuk gjendet asnjë shenjë është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë.

Në atë kohë Aeroporti Sportiv “Haxhitepe”, kishte një marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirave nga NATO.

Nikolla Petrovski, drejtor i Aeroportit Sportiv “Haxhitepe” tregon se për çka u përdor aeroporti në atë kohë.

“Këtu kanë qenë 15 helikopterë dhe mjete tjera ushtarake. I gjithë vendi ka qenë i mbushur me tenda dhe marrëveshja e Kumanovës është nënshkruar pikërisht në këtë pjesë”, tha ai.

DW në prag të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, mblodhi të rinj nga Kosova e Serbia në mënyrë që ata të shkëmbejnë ide se si gjeneratat e reja duhet të ecin përpara.

Në këtë diskutim përfshihet edhe ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler. Ajo përmendur popuj të ndryshëm që dikur kishin luftë mes vete, por tani jetojnë në paqe, derisa ndau edhe përvojat e saj personale rreth integrimit gjermano-gjerman.

E të rinjtë serbë e kosovarë derisa diskutuan në grupe, dhanë idetë e tyre për një të ardhme të sigurt.

Kjo është hera e dytë që të rinj nga Serbia dhe Kosova bashkëbiseduan drejt një të ardhmeje më të mirë për të dyja vendet. Pesë vite më parë, DW kishte organizuar një takim të tillë në Prishtinë. Përfaqësues të mediumit gjerman shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar me cikle të tjera takimesh.

Megjithatë, 25 vite pas marrëveshjes Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur ta njohin njëra-tjetrën dhe t’i normalizojnë raportet.

Go to TOP