Zgjedhjet lokale, LVV-ja e gatshme për takimin konsultativ me Osmanin

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për të shkuar në takimet që ftohen nga presidentja Vjosa Osmani.

“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, ka thënë për klankosova.tv. Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Osmani i ka ftuar partitë politike për një takim konsultativ për të hënën. Ftesa lidhet siç thuhet “për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”.

Me një sqarim që lidhet me këtë ftesë ka dalë, Artan Murati, këshilltari i presidentes së vendit, i cili ka thënë se takimi është thirrur për të diskutuar për opinionin dhe rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike lidhur me procesin zgjedhor.

“Kush lexon drejt, e kupton që subjektet politike janë ftuar në takim konsultativ, për të diskutuar për opinionin dhe rekomandimin e IKSHPK lidhur me procesin zgjedhor. Pra, për të diskutuar. Si e para e shtetit, është e natyrshme që Presidentja të konsultoj subjektet politike për çështje e tema me rëndësi, e sidomos kur bëhet fjalë për jetën e njeriut. Kjo është ftesa. Kaq” ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.

Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka rekomanduar që të shtyhen zgjedhjet lokale në Kosovë të parapara më 17 tetor.

Burime brenda IKSHPK-së ia kanë bërë të ditur Klan Kosovës një propozim të tillë që i është dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Mbledhjet e njerëzve nëpër fushata shihen si një prej rreziqeve më të mëdha nga ky institucion në luftë kundër COVID-19 sidomos në një periudhë ku numri i rasteve të përditshme me COVID-19 është shumë i lartë.

Go to TOP