Zgjedhja e presidentit të ri “i jep fund izolimit ndërkombëtar” të Çekisë

Petr Pavel, gjeneral në pension i ushtrisë, mundi miliarderin populist, Andrej Babish, në balotazhin e 28 janarit, duke u bërë president i Çekisë. Pavel, 61 vjeç, do ta pasojë Millosh Zemanin në këtë post kryesisht ceremonial, por prestigjioz.

Pavel, i cili garoi si kandidat i pavarur, ka qenë kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, organit më të lartë ushtarak të aleancës.

Ai mbështet fuqishëm ndihmat ushtarake dhe humanitare të Republikës Çeke për Ukrainën, e cila është në luftë kundër pushtimit rus.

Presidenti në largim, Zeman, ka mbështetur Babishin, i cili është njëri nga njerëzit më të pasur të Çekisë. Të dy ata ndajnë pikëpamje euro-skeptike dhe të dy kanë përdorur shpesh retorikë anti-migrante.

Pavel Havlicek, analist në Asociacionin për Çështje Ndërkombëtare në Pragë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhja e Pavelit shënon fundin e “izolimit” të Republikës Çeke.

Radio Evropa e Lirë: Babish duket se ka huazuar disa taktika të fushatës zgjedhore të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, përfshirë edhe frikësimin. Babish e paraqiti veten si kandidat të paqes, ndërsa e njollosi Pavelin si “kandidat lufte” – me gjasë për shkak të mbështetjes së tij të fortë për Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë. Kjo taktikë ka funksionuar në masë të madhe për Orbanin në Hungari, por jo edhe për Babishin këtu në Republikën Çeke. Pse?

Pavel Havlicek: Sepse këtu, padyshim, peizazhi është shumë më ndryshe. Nuk është vetëm çështja e mediave, [por] në përgjithësi… [niveli i] lirisë. Gjithashtu, qëndrimet e shoqërisë çeke dhe të Qeverisë dhe shtetit janë në favor të Ukrainës dhe refugjatëve, por edhe të mbështetjes së vendit në fazat e ardhshme të luftës…

Pra, përshkrimi i Pavelit si luftënxitës ka pasur shumë pak gjasa për sukses, marrë parasysh mbështetjen e fuqishme të Çekisë për Ukrainën. Pra, këtu në Republikën Çeke ky lloj i fushatës ka pasur gjasa shumë të vogla për sukses. Ka shumë pak krahasime midis shoqërisë liberale në Çeki dhe Hungarisë dhe tendencave joliberale në atë vend. Çekia, thjesht, nuk është ashtu.

Radio Evropa e Lirë: Presidenca çeke është kryesisht një post ceremonial. Çfarë do të thotë fitorja e Pavelit për politikën e jashtme çeke? Gazeta çeke, Hospodarske Noviny, ka shkruar se Pavel ka të ngjarë të jetë më aktiv në skenën e huaj…

Pavel Havlicek: Mendoj se është e saktë të thuhet [se Pavel do të jetë më aktiv në skenën e huaj]. Kontakti i tij i parë me presidenten sllovake, [Zuzana] Çaputova, pastaj planet e tij të ardhshme, që përfshijnë një vizitë së bashku [me Çaputovën] në Ukrainë… Këto janë ilustrime të mira që tregojnë se Çekia dhe Sllovakia po ndjekin një rrugë shumë më ndryshe, në krahasim me, për shembull, Hungarinë fqinje. Është një shkëputje edhe nga dy mandatet e mëparshme të presidentit aktual çek, Millosh Zeman. Kjo, gjithashtu, sinjalizon fundin e izolimit ndërkombëtar të Çekisë në nivelin më të lartë.

Keni të drejtë, deri në një masë, që roli i presidentit në Çeki është kryesisht ceremonial. Por, nga ana tjetër, një nga komponentët thelbësorë të kësaj pune është padyshim përfaqësimi i vendit në nivelin ndërkombëtar. Dhe, mendoj se kontakti i tij i parë [gjatë një bisede telefonike më 29 janar] me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili e mirëpriti fuqishëm zgjedhjen e tij, por edhe kontakti i tij i parë me presidenten e Tajvanit [Tsai Ing-wen], janë gjeste shumë të forta dhe simbolike, që tregojnë drejtimin që presidenti [i zgjedhur] do të marrë.

Pra, ai do të jetë shumë pro-evropian dhe pro-NATO. Ai do të orientohet kah marrëdhëniet transatlantike. Dhe, ai do të pozicionohet shumë fuqishëm kundër kësaj prirjeje autoritare, si dhe [kundër] diktaturave botërore, si Rusia apo Kina komuniste. Pra, këto janë sinjale shumë të rëndësishme.

Dua të shtoj se një tjetër përgjegjësi e madhe e presidentit, ka të bëjë edhe me sistemin e brendshëm politik. Brenda tij, presidenti mund të vërë veto dhe të ndikojë në procesin e vendimmarrjes, përfshirë emërimet në gjykata dhe në Bankën Kombëtare Çeke. Pra, kjo pozitë nuk është thjesht ceremoniale.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë fitorja e Pavelit për BE-në? A mendoni se ka një ndjenjë lehtësimi në Bruksel? Më 9 janar, një gjykatë e Pragës e ka liruar Babishin nga akuzat për mashtrim në një rast që përfshinte 2 milionë dollarë – në mesin e tyre edhe subvencione të BE-së. Babish është deklaruar i pafajshëm dhe vazhdimisht ka thënë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht. Telashet për të nuk kanë mbaruar ende. Autoritetet franceze kanë thënë më 19 janar se janë duke hetuar Babishin nën dyshimet për pastrim parash dhe evazion fiskal.

Pavel Havlicek: Sigurisht që është lehtësim, sepse nëse do të zgjidhej [president] ish-kryeministri Andrej Babish, do të mund të priteshin më shumë konflikte, jo vetëm mes tij dhe Qeverisë [çeke], por edhe në skenën ndërkombëtare… Ne dimë, për shembull, për konfliktet e tij të shumta me institucionet e BE-së. Ne dimë, gjithashtu, për [konfliktet] e tij të interesit – kur ka qenë kryeministër – me institucionet evropiane që kanë kryer hetime si në Republikën Çeke, ashtu edhe jashtë saj – për shembull, në Francë dhe në Sllovaki.

Pra, në vend të më shumë konflikteve midis Babishit dhe institucioneve të BE-së, tani [nën Pavelin] mund të presim një kurs tjetër. Nuk është për t’u habitur që presidentja e Komisionit Evropian [Ursula von der Leyen] e ka uruar Pavelin për fitoren e tij. Mendoj se edhe politikanët e tjerë evropianë janë ndjerë të lehtësuar, duke përshëndetur tonin dhe qëndrimin e tij më bashkëpunues ndaj integrimit evropian. Po të ishte Babish, do të kishte pasur më shumë tensione dhe konfrontime.

Radio Evropa e Lirë: Millosh Zeman ka shërbyer dy mandate pesëvjeçare si president. Ai gjithashtu ka qenë kryeministër i Çekisë midis viteve 1998 dhe 2002. Çfarë trashëgimie lë pas?

Pavel Havlicek: Është një trashëgimi e një personi që, sipas vlerësimit të vetë atij, ka qenë konfuze dhe e gabuar – për shembull, teksa ka ndjekur një agjendë shumë pro-ruse. Qasja e tij pro-kineze nuk ka ndryshuar kurrë, as pas fillimit të valës së re të agresionit rus kundër Ukrainës, të cilin regjimi komunist kinez është duke e mbështetur në heshtje. Nuk kemi dëgjuar kurrë që Zeman ka rishqyrtuar qëndrimin e tij ndaj Kinës komuniste, me të cilën ka pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të ngushta.

Gjithashtu, përkundër kompetencave të kufizuara të presidentit, Zeman ka promovuar tendenca joliberale. Ai ka minuar sigurinë [në Çeki], duke vënë në pikëpyetje punën e Shërbimit Informativ të Sigurisë [agjencisë vendase të inteligjencës kombëtare].

Ai ka vënë në dyshim dhe ka ndarë shumë institucione kombëtare çeke, si dhe shoqërinë [në përgjithësi], duke mbjellë kaos me politika dhe qëndrime konfrontuese për shumë [gjëra]. Ai ka promovuar joliberalizmin në Republikën Çeke. Për një [pjesë të madhe] të shoqërisë çeke, edhe për ata që kanë votuar për Babishin, largimi i Zemanit nga posti do të jetë një lehtësim i madh. Unë jam mjaft i bindur për këtë.

Go to TOP