Ushtria shqiptare po ringrihet, 1.8 mld euro për transformim

Ushtria shqiptare po zgjohet. Dëshmia e parë e rikthimit është Kuçova, me bazën ajrore të NATO-s, të hapur zyrtarisht më 4 mars 2024.

Në Euronews Albania u analizuan këtë të shtunë zhvillimet gjeopolitike dhe investimet që pritet të bëhen për forcat e Armatosura.

Militarizimi i Shqipërisë do të kalojë nëpër një rrugë 10-vjeçare. Ai nis këtë vit me 480 mln euro, që pëbëjnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe arrin në vitin 2033, me 730 mln euro, duke mos rënë në asnjë vit, nën 2% të PBB-së. Dhe për një dekadë, transformimi do të kushtojë 1.8 mld euro.

Koloneli Ardian Lilo u shpreh për Money: “Strategjia ushtarake parashikon që ne do të kemi ndryshime në kapacitete dhe investime në infrastrukturë. Deri tani mbrojtja ka qenë nën ombrellën e NATO-s, ndërkohë që vetë fuqitë më të mëdha të NATO-s po investojnë fuqishëm. Në këtë kuadër, strategjia ushtarake, parashikon që të zhvillohen kapacitete jo vetëm në kuadër të aleancës, por edhe kapacitete që do t’i shërbejnë vendit për të garantuar mbrojtjen kombëtare deri në aktivizimin e nenit 5”.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi tha se investimi në një afat 10-vjeçar mund të bëjë që shtete të tjera të jenë më përpara në armatosje se ne nëse ndodh një konflikt.

“Në fund të vitit të kaluar në Shqipëri ka ardhur një gjeneral i NATO-s dhe në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes ka thënë që Shqipëria duhet të armatoset dhe ideja e rijetëzimit të industrisë së armatimeve lidhet pikërisht me riarmatosjen. Por në përgjithësi strategjia është e mirë. Duke qenë se shtrihet në një periudhë 10 vjeçare të tjerë mund të jenë shumë më para se ne”.

Në rajonin tonë, fuqi e parë ushtarake është Serbia, e cila ruan vendin e 56 në botë, dhe pas saj jemi ne, në listën që mbyllet nga Kosova në vendin 135-të. Nëse do të shohim në përballje mjetesh e personeli; flota jonë është disa herë më e vogël se ajo që ka Serbia, e cila shihet si faktor kërcënimi dhe destabiliteti për Ballkanin, e veçanërisht për Kosovën.

Go to TOP