Ulpiana dhe Vllaznia përjashtohen nga Liga e Parë

Ulpiana dhe Vllaznia sezonin e ardhshëm do të duhet të bëjnë gara në Ligën e Dytë.

Kjo pasi dy skuadrat, që bënin gara në Grupin B të Ligës së Parë, janë përjashtuar nga Liga e Parë e Kosovës.

Nga Federata e Futbollit të Kosovës kanë njoftuar se deri te vendimi ka ardhur pas kurdisjes së ndeshjes mes Vllaznisë dhe Ulpianës, që ishte mbyllur me fitoren 4:3 të skuadrës nga Pozherani.

“Bazuar në raportin zyrtar të delegatit të ndeshjes Shkelzen Jashari, evidentohet që në pjesën e dytë të ndeshjes, ekipi vendas tregoi një mungesë të qartë angazhimi në lojë, qëllimisht duke lejuar hapësira të shumta për kundërshtarët dhe duke lehtësuar punën për ekipin mysafir. Kjo situatë u reflektua edhe në shënimet e golave duke bërë të mundur kthesën e rezultatit nga 3:1 në favor të ekipit mysafir në 3:4”, thuhet në arsyetimin e FFK-së.

Tutje, FFK-ja tha se në minutat e fundit të ndeshjes, ekipi vendas kishte mundësi reale për ta barazuar rezultatin, por që pavarësisht mundësisë e hapësirës që nga 4-5 metra të shënohej, nuk u qëllua fare perimetri i portës.

“Përveç raportit të lartcekur, ekzistojnë edhe xhirimet televizive të cilat janë përdorur si prova materiale edhe nga Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë, të cilat vërtetojnë mungesën e angazhimit të ekipit vendas, i cili shprehimisht në nenin 60, paragrafi 1, pika “e” e Rregullores Disiplinore përkufizohet si ‘lëshim i qëllimshëm i kundërshtarit të shënoj gol pa angazhim, angazhim inert, mos dëshirë për lojë, dëmtim i ekipit të tij me qëllim”.

“Veprime të tilla, pra të mosangazhimit, në rastin konkret të ekipit vendas shihen në shënimin e golit të tretë dhe të katërt të ekipit mysafir, si dhe mosrealizimit të mundësisë për gol të ekipit vendas në minutat e fundit të takimit. Ky rezultat ka ndikuar edhe në gjendjen e pikëve të pjesës së poshtme tabelare në Raiffeisen Liga e Parë”.

Më tej, në raportin e FFK-së thuhet se gjithashtu ekzistojnë komunikimet e lojtare me mesazhe telefonike lidhur me zhvillimin dhe rezultatin e ndeshjes si dhe të dhënat nga raportet tjera konfidenciale, që thuhet se paraqesin prova të mjaftueshme për vendimmarrje në çështjen e iniciuar nga Komisioni i Garave.

Go to TOP