Tryezë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës

Në kuadër të bashkëpunimit mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës se Shqipërisë, është mbajtur në Tiranë Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.   

Kjo Tryezë u organizua si rezultat i vizitës së parë zyrtare të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në Kosovë dhe diskutimeve të frytshme me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Tryeza filloi punimet me fjalimin përshëndetës nga Kryetarja e Kuvendit, të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Nikolla tha se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv dhe se Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar.

Ajo shtoi se paralel me këtë Tryezë, në grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, është duke u finalizuar Marrëveshja e Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve.

“Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombësve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimin vëllazëror midis dy Kuvendeve tona”, theksoi Nikolla.

Nga ana tjetër kryetarët e komisioneve parlamentare të dy Kuvendeve, gjatë diskutimeve të tyre theksuan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit parlamentar, duke iu referuar fushëveprimit të komisioneve përkatëse në procesin legjislativ dhe përafrimin e legjislacionit, për të lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve. 

Diskutimet kryesisht u fokusuan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë dhe mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore.

Kryetarët e komisioneve parlamentare ranë dakord që, përveç takimeve në nivel Kuvendesh, bashkëpunimi të zgjerohet dhe e thellohet edhe midis komisioneve përkatëse dhe rezultatet e tyre të paraqiten e diskutohen në Tryezat e përbashkëta, të cilat do të mbahen në mënyrë periodike. ​/Kosova.info/

Go to TOP