Kosova.info

Trepça triumfon në derbi

Trepça ka fituar derbin ndaj Pejës në udhëtim me rezultat 83:91 (20:18, 15:31, 18:23, 30:19), ndeshje e zhvilluar në kuadër të xhiros së 19-të në Prince Caffe Superligë.

Verdhezinjtë e nisën ndeshjen më mirë, ku në fillim krijuan epërsi 12:5, por shtatë pikë radhazi nga mysafirët bën që rezultati të barazohet në 12:12, ndërsa më pas zhvillohet lojë e barabartë, ku çereku i parë përfundon 20:18. Pas një fillimi të barabartë në periudhën e dytë, mitrovicasit ishin dukshëm më të mirë në këtë pjesë, duke u shkëputur dhe për të shkuar në pushim me rezultat 35:49.

Mysafirët nuk u ndalën as në periudhën e tretë, ku kishin epërsi deri në 20 pikë për të kontrolluar ndeshjen, kurse rezultati pas 30 minutash ishin 53:72. Në dhjetë minutat e fundit, pejanët tentuan rikthimin e madh, duke ngushtuar rezultatin në vetëm katër pikë 77:81, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe Trepça triumfoi 83:91.

Rodney Purvis shënoi 20 pikë për vendasit, kurse te mysafirët më të dalluarit ishin Will Daniels me 25 pikë e nëntë kërcime, Ken Brown me 21 pikë e gjashtë kërcime dhe Mikaile Tmusiq me 20 pikë e gjashtë kërcime.

Peja ka 13 fitore e gjashtë humbje, kurse Trepça dhjetë fitore e nëntë humbje. /Kosova.info/