Sylvinho: E kam analizuar Kroacinë dhe se Shqipëria është gati

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka deklaruar se ekipi i tij është i përgatitur për sfidën e nesërme kundër Kroacisë.

Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën, ku Shqipëria vjen pas një humbje të ngushtë ndaj Italisë me rezultatin 2-1, ndërsa Kroacia ka pësuar një humbje të thellë nga Spanja me rezultatin 3-0.

“E kemi studiuar Kroacinë dhe ndaj Spanjës ata u mposhtën 3-0, por luajtën shumë mirë dhe krijuan shumë raste për të shënuar. I krijuan shumë probleme Spanjës, që shënoi golat në vetëm 29 minuta”, ka thënë Sylvinho. “Kroacia ka lojtarë teknikë, të fortë fizikisht dhe me cilësi të larta pasimi. Kundërshtarët janë shumë të fortë, por edhe ne kemi lojtarë cilësorë si kapiteni Gjimshiti, Asllani, Broja, Muçi, etj., disa prej të cilëve të rinj dhe kanë nevojë ende për t’u rritur. Këto ndeshje do t’i ndihmojnë shumë ata të përmirësohen”.

Sylvinho ka theksuar rëndësinë e mesfushës kroate, duke përmendur emra si Brozovic, Modric, Kovaçiç dhe Perisic, të cilët kanë luajtur në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar. “Mesfusha është zemra e tyre. Kanë emra si Brozovic, Modric, Kovaçiç, apo Perisic, të cilët kanë luajtur dhe luajnë në nivelet më të larta, ndaj do të jetë shumë e vështirë. Duhet të luftojmë shumë dhe të bëjmë kujdes, për të mos u lejuar shumë hapësira, pasi dinë të shfrytëzojnë çdo gabim”, është shprehur ai.

Trajneri brazilian është optimist për potencialin e skuadrës së tij dhe është i vendosur të kërkojë një rezultat pozitiv ndaj Kroacisë. “Ky është një grup shumë i vështirë, por është një gëzim shumë i madh për ne, pasi luajmë kundër ekipeve më të mira dhe mësojmë prej tyre. Luhet 90 minuta pa kompromis dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat. Kemi kundërshtarë që luajnë në klubet më të mëdha në botë dhe është e mrekullueshme të luajmë ndaj skuadrave të tilla, ndaj nuk do të heqim dorë asnjëherë për të kërkuar rezultat pozitiv”, ka thënë ai. 

Duke u rikthyer te ndeshja me Italinë, Sylvinho shprehu krenarinë për përpjekjet e ekipit të tij. “E respektuam Italinë, por kërkuam të shmangim humbjen deri në fund dhe me pak fat mund t’ia dilnim. Ndoshta ia dalim nesër ndaj Kroacisë,” përfundoi Sylvinho.

Go to TOP