Debati në Kuvend shkon ‘në tavan’, përplasje të ashpra pozitë-opozitë
Në seancën e Kuvendit të Kosovës është duke u diskutuar për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se ky projektligj ka paraparë masa të cilat do të ndërmerren në raste të veçanta”.
Projektligji në formën në të cilën është paraqitur është kundërshtuar nga PDK, LDK dhe AAK.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se ky projektligj në formën siç është paraqitur mund të përdoret në situata të caktuara për dëmtimin e bizneseve të caktuara.
“Mund të përdoret në situata të caktuara për dëmtimin e bizneseve të caktuara. Kjo ide që është e shkruar në draftligj nuk pasqyron atë që u tha. Në këtë situatë të draftligjit që e kemi PDK nuk mund ta përkrahë kështu. Ne nuk mund ta mbështesim një ligj që është i dëmshëm edhe për ekonominë, edhe për bizneset edhe për qytetarin”, tha Shala.
Projektligji nuk është përkrahur as nga LDK. Hykmete Bajrami tha se një nivelizim i tillë i çmimeve u shërben vetëm bizneseve të mëdha dhe i shtyn drejt falimentimit dyqanet e vogla.
“Ne jemi ekonomi e tregut të lirë, që nënkupton ndërhyrje minimale të tregut. Askush nuk ka pritje nga ju të shpikni një rend të ri botëror, në tentativë ju mund ta deformoni sistemin e tregut.
Me nivelizim të çmimeve ju vrani konkurrencën në mes të atyre që ofrojnë produkte të njëjta. Ju i shtyni drejt falimentimit mijëra dyqane të vogla nëpër fshatra e lagje periferike të qytetit. Ju po ambastrahoni faktin se dyqanet e vogla furnizohen prej rrjeteve të mëdha importuese. Me vendosjen e çmimeve tavan ju nuk do të mund të ulni çmimet e bizneseve të mëdha”, u shpreh Bajrami.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se edhe AAK-ja është kundër projektligjit për çmimet tavan.
Sipas tij, kjo e dëmton rëndë ekonominë e tregut.
Lekaj tha se më shumë e përkrahin heshtjen e TVSH-së sesa vendosjen e çmimeve tavan.
“Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ai.
I zëshëm në kundërshtimin e këtij projektligji ishte edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, raporton Syri.net Kosova
Ai ka thënë se ligji për çmimet tavan do t’i mbyllë minimarketet dhe se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shtuar se nuk e ka menduar që ndonjëherë do të diskutohet ky ligj.
“E pasni bo një ligj me i mbyllë këto minimarkete, e tregtarë të vegjël nëpër Kosovë. Shqetësues jashtëzakonisht që qeveria si mjet primar për krizë i konsideron intervenimet në treg”, ka thënë Krasniqi.
Ai e ka kritikuar po ashtu edhe ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Nuk kanë paraqit asnjë evidencë që tregon se rritja e çmimeve po shkaktohet nga abuzuesit. Pikërisht kjo ministre që ka thënë se e kemi gjetur fajtorin, fajtor janë minimarketet. Këta të voglit të lagjeve. I shpalli armiq”, deklaroi Krasniqi.
Ndryshe nga opozita, partia në pushtet a argumentoi rëndësinë e çmimeve tavan për produketet esenciale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka ardhur momenti ku çrregullimi i tregut duhet rregulluar me masa dhe veprime konkrete e ligjore që duhet miratuar nga ky kuvend.
Në seancën e sotme ku po shqyrtohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Kusari Lila tha se është e domosdoshme dhe urgjente ndërmarrja e këtyre masave me qëllim të zbutjes dhe kontrollimin e çmimeve të produkteve themelore.
Sipas saj, Qeveria dhe Kuvendi kanë marrë disa veprime për t’i ndihmuar qytetarët, por siç tha ajo megjithatë këto masa nuk kanë ndikuar në uljen e abuzimit me çmime.
“Qëllimi kryesor është ruajtja e mirëqenies së qytetarëve dhe mbrojtja ligjore e konsumatorëve në raport me furnizimin me produkte themelore. Bashkë jemi në proces të krijimit të një rrjeti të sigurisë për kategoritë e lëndueshme. Në këtë proces është e nevojshme që mekanizimi ligjor dhe institucional të ndërhyjë dhe vendos kontrollin mbi atë çfarë ka hapësirë për abuzim. Në gjendjen aktuale, në të cilën shkalla e inflacionit po shënon rritjen dhe jo vetëm në vendin tonë, e bën të domosdoshme dhe urgjente ndërmarrjen e këtyre masave me qëllim të zbutjes dhe kontrollimin e çmimeve në produktet themelore… Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e veçanta dhe destabilzimit në treg, parasheh veprime konkrete të cilat ndihmojnë qytetarët në përballimin e inflacionit sidomos në produktet bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor, qumështin, kripën, vezët, mishin e pulës, sheqerin dhe lëndët e drurit për djegie”, tha ajo.
Ajo ka ftuar deputetët që ta mbështesin këtë projektligj, pasi që sipas saj për çështjen e inflacionit pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë duke marrë veprime të cilat nuk janë praktikë e zakonshme.
Seanca e sotme e Kuvendit po shoqërohet me debat të nxehtë në lidhje me këtë temë, por në fillim të seancës, kryeparlamentari Konjufca pati një ‘debat’ të një natyre tjetër. Ai ua tërhoqi vërejtjen disa deputetëve për pirjen e duhanit, madje i ‘kërcënoi’ se do t’ua thirte inspektorët.
