Si është të jesh gazetar nën sundimin e talibanëve

Gazetarëve afganë u ndalohet të transmetojnë apo publikojnë lajme që janë kritike ndaj talibanëve.

Gazetarët që i kanë kaluar vijat e kuqe janë arrestuar, burgosur, rrahur në paraburgim, kërcënuar dhe përndjekur.

Gazetarët, jo vetëm që përballen me kufizime se cilat çështje mund t’i mbulojnë, por ata gjithashtu janë shumë të kufizuar për mënyrën se si raportojnë dhe kë mund të intervistojnë.

Gratë dhe vajzat e kanë të ndaluar të shfaqen në programet televizive ose radiofonike. Ndërkohë, gazetarëve burra u ndalohet intervistimi i grave dhe anasjelltas.

Kështu është të jesh gazetar në Afganistan gati tre vjet pasi talibanët morën pushtetin.

Konferencë për shtyp e Shoqatës së Grave Gazetare në Kabul. Nëntor 2023.
Konferencë për shtyp e Shoqatës së Grave Gazetare në Kabul. Nëntor 2023.

Militantët kanë transformuar peizazhin mediatik dikur të gjallë në vendin e shkatërruar nga lufta, ku censura tani është e përhapur dhe mospajtimi është zhdukur gati plotësisht.

“Është e pamundur të jesh gazetare nën [pushtimin] taliban”, tha për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë një gazetare grua e vendosur në Afganistanin qendror.

Gazetarja, si dhe të tjerët persona të intervistuar për këtë artikull kanë folur në kushte anonimiteti nga frika për hakmarrje.

“Vijat e kuqe”

Pasi rimorën pushtetin në vitin 2021, talibanët fillimisht premtuan se do të lejojnë një shtyp të lirë. Por, qeveria e tyre e ashpër filloi shumë shpejt me sulme ndaj mediave të pavarura.

Dhjetëra gazetarë dhe punonjës mediash janë burgosur ose sulmuar fizikisht. Talibanët, po ashtu, kanë mbyllur dhjetëra media.

Në këtë situatë, qindra gazetarë, prej frikës janë larguar nga vendi.pushtetin e kanë marrë talibanët. Por, gazetarët e tyre përballen me kufizime të rënda dhe shpesh përdorin vetëcensurë.

Mbulimi i çështjeve si “pasiguria, të drejtat e njeriut dhe korrupsioni” janë të ndaluara, tha një redaktor që jeton në Kabul, i cili punon për një transmetues të madh.

Zyrtarët talibanë shpesh i udhëzojnë gazetarët të “raportojnë vetëm për çështje” që i vendosin ata në një dritë më pozitive, shtoi redaktori.

Talibanët, gjithashtu, u kanë thënë transmetuesve që të mos intervistojnë qytetarë afganë në rrugë, si përpjekje për të parandaluar kritikat ndaj grupit.

“Neve, tani nuk na lejohet t’i ftojmë afganët që jetojnë jashtë vendit për të marrë pjesë në programe”, tha redaktori. “Është e ndaluar të përfshihen pikëpamjet e kundërshtarëve të talibanëve”.

Një tjetër gazetar që punon në veri të Afganistanit tha se ai u përpoq të hulumtonte pretendimet për abuzime seksuale në medresetë e drejtuara nga talibanët, ose në seminaret islame, si dhe vendimin e talibanëve për t’u dhënë kontrata fitimprurëse minerare kompanive shtetërore.

Por, atij iu desh të tërhiqej nga hulumtimi nga frika e hakmarrjes.

“Çështje të tilla janë plotësisht të ndaluara”, tha ai për Radio Azadi.

Gazetarët afganë marrin pjesë në një ngjarje në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në zyrën e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afganistan (AIJA) në Kabul më 3 maj 2023.
Gazetarët afganë marrin pjesë në një ngjarje në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në zyrën e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur Afganistan (AIJA) në Kabul më 3 maj 2023.

“Nuk mund të dal në terren”

Kufizimet e talibanëve në media kanë prekur në mënyrë të pabarabartë gratë.

Ata kanë vendosur kufizime të rënda për paraqitjen e grave, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për arsimim dhe punë.

“Unë tani nuk mund të dal në terren dhe të raportoj”, tha një grua gazetare që punon në Afganistanin qendror, duke shtuar se asaj i ndalohet të intervistojë burra dhe nuk mund të udhëtojë larg shtëpisë pa një shoqërues burrë.

Një tjetër gazetare nga Afganistani qendror tha se ajo u thirr për t’u marrë në pyetje pasi raportoi për një protestë të grave kundër politikave shtypëse të talibanëve.

“Më pyetën pse raportoj për çështje të tilla”, tha ajo për Radio Azadi. “Më pyetën, a je kundër qeverisë?”.

Ajo tha se zyrtarët e kërcënuan dhe i thanë se do të përballej me “pasoja të rënda” nëse raportonte përsëri për ndonjë tubim të paligjshëm.

Gazetarë afganë duke ndjekur një konferencë shtypi, shkurt 2022. Një sondazh i dhjetorit nga Reporterët pa Kufij dhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur Afganistan, tha se "231 media u desh të mbyllen dhe më se 6.400 gazetarë humbën punën e tyre”, që nga ardhja e talibanëve.
Gazetarë afganë duke ndjekur një konferencë shtypi, shkurt 2022. Një sondazh i dhjetorit nga Reporterët pa Kufij dhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur Afganistan, tha se “231 media u desh të mbyllen dhe më se 6.400 gazetarë humbën punën e tyre”, që nga ardhja e talibanëve.

Në mediat transmetuese ka edhe më shumë kufizime.

Prezantueset gra janë detyruara të veshin një mantel të zi dhe shami në kokë, duke lënë të zbuluar vetëm sytë e tyre.

Stacioneve televizive dhe radiofonike u është ndaluar transmetimi i zërave të grave dhe pranimi i thirrjeve telefonike nga gratë.

Censura po rritet

Goditja e talibanëve ndaj gazetarëve duket se po rritet.

Në muajt e fundit, talibanët kanë vendosur kufizime të reja gjatë paraqitjeve të gazetareve, kanë ndaluar disa gra të kenë qasje në programet e radios dhe televizionit dhe kanë ndaluar filmimin ose fotografimin e zyrtarëve talibanë.

Më 22 prill, tre gazetarë të radios u arrestuan në provincën juglindore të Khost për transmetimin e muzikës dhe pranimit të thirrjeve nga dëgjueset gra gjatë transmetimeve.

Ditë më parë, talibanët suspenduan transmetimin e dy stacioneve televizive private me bazë në Kabul për shkelje të “vlerave kombëtare dhe islame”.

Talibanët, po ashtu, kanë nxjerrë “11 rregulla për gazetarët” që ndalojnë publikimin ose transmetimin e lajmeve që janë “në kundërshtim me islamin” dhe të cilat zmbrapsin raportimin e lajmeve që nuk janë konfirmuar nga zyrtarët talibanë.

Rregullat e talibanëve, sipas një gazetari që punon në Kabul, kanë mesazhin e qartë: mos publikoni ose transmetoni “asgjë kritike ndaj qeverisë”.

Një redaktor i vendosur në Kabul tha se persekutimi dhe kërcënimi i vazhdueshëm i gazetarëve nga talibanët detyrojnë shumë gazetarë ta braktisin profesionin e tyre ose të largohen nga atdheu i tyre.

“Të gjithë ata që i njoh, duan të ikin jashtë vendit”, tha redaktori. /Radio Evropa e Lirë/

Go to TOP