Shqipëri: Prokurori i SPAK kërkon dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për ish-prokurorin e Sarandës Sali Hasa

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa dhe heqjen e së drejtës për të mbajtur poste publike për 5 vjet.

Mbi Hasën rëndojnë dy akuza, ajo për “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”.

Prokurori Altin Dumani kërkoi dënimin me burg edhe për 7 persona të tjerë, të hetuar në të njëjtën dosje penale me prokurorin Hasa.

Për tre prej tyre, të akuzuar për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, përkatësisht: Napolon Hodajn u kërkua 2 vite burg, Markelian Alinanin 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa për Julian Zeran, 1 vit e 3 muaj burg.

Prokurori kërkoi gjithashtu dënimin për Emiljano Miranin me 2 vite e 6 muaj burg dhe për Elsona Papan me 1 vit burg, të akuzuar se kanë kryer veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”

Dënimi me 2 vite e 6 muaj është kërkuar edhe për Qerim Ruçin dhe me 2 vite burg për Bledar Hajredinin “për paracaktim të rezultateve sportive”.

Ish prokurori Sali Hasa u arrestua qershorin e vitit të shkuar.

Nga hetimet e kryera prokurori Hasa dyshohet për përfshirje në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj Emiljano Miranit, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”. Prokurori Hasa akuzohet se ka marrë ryshfet nga motra e Emiljanos, Elsona Papa.

Provat e grumbulluara ndaj ish prokurorit por edhe personave të tjerë që ishin përfshirë në ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe trukime ndeshjesh sportive dolën kryesisht nga përgjime, ndërsa po hetohej një çështje tjetër për trafik narkotikësh nga SPAK-u.

Ish prokurori Hasa, u shkarkua nga detyra shtatorin e vitit të shkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme.

Ai nuk i ka pranuar të dy akuzat dhe pala mbrojtëse pritet të paraqesë kundërshtitë e veta ndaj pretencës së prokurorit në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme.

Go to TOP