Sekuestrohen 7 vila në Mullet, skema si në filma e përvetësimit të tokës së Bashkisë Tiranë

Prokuroria e Tiranës pretendon se ka zbuluar një skemë mashtrimi në zonën e Mulletit, ku 10 persona, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe të dhënave të rreme të hedhura në sistem, kanë mundur të shtien në dorë një sipërfaqe të madhe toke, e cila ishte në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Nëpërmjet kësaj skeme mashtrimi dhe manipulimit të të dhënave në sistemin e- leje, personat në fjalë kishin arritur të ndërtonin 7 vila luksoze, të cilat tashmë janë sekuestruar nga ana e drejtësisë.

Prokuroria i nisi hetimet një vit më parë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe pas një seri verifikimesh në dokumentacion dhe në terren, arriti në përfundimin se 7 vilat ishin ndërtuar nëpërmjet mashtrimit duke Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur 10 persona, mes tyre edhe 2 arkitektë. Ata akuzohen se kanë ndërtuar 7 vila në zonën e Mulletit me dokumente të falsifikuara.

Si nisi mashtrimi me dokumente

Dy arkitektët, Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, tashmë të pandehur, përdorën të dhëna të rreme në aplikimin e tyre për leje ndërtimi, duke i zhvendosur 5 objekte ndërtimi me sipërfaqe 1470 në një pronë shtetërore, që i ishte dhënë me qira, Gani Mokës.

Dy arkitektët Prelezi dhe Bregu u arrestuan nëntorin e 2023 me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Hetimet që zbuluan skemën e mashtrimit

Hetimet nga ana e Prokurorisë u kryen në mënyrë intensive, duke marrë në pyetje shumë persona, duke bërë vëzhgimit në terren, si dhe bënë ekspertime ligjore teknike.

Nga hetimet u zbulua se për tu pajisur me leje rindërtimi, arkitektët kishin paraqitur dokumentacion tekniko- ligjor me të dhëna të rreme, duke prekur fondin pyjor pasuri shtetërore në pronësi të Bashkisë Tiranë.

“Në përfundim është arritur në konkluzionin, se bëhet fjalë për konsumim të elementëve të veprave penale të parashikuara nga nenet 199/a/3, 186/2, 186/3 në bashkëpunim dhe 300 të Kodit Penal, pasi në zonën e Mulletit, në ekonominë pyjore 1/a dhe 2/a, janë ndërtuar 7 objekte (vila), formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që ka rezultuar se dokumentacioni tekniko ligjor i përdorur pasqyronte të dhëna të rreme, si dhe duke cënuar fondin pyjor, në juridiksion të Bashkisë Tiranë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.

“Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova dhe dyshim të arsyeshëm për të proceduar me marrjen si të pandehur të 10 personave”- vijon më tej njoftimi i Prokurorisë së Tiranës.

Sekuestrimi i 7 vilave

Nga ana e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është kërkuar sekuestrimi i objekteve të paligjshme dhe mbi to është vendosur sekuestro.

Janë sekuestruar tri sipërfaqe nga 370 metër katror secila, në emër të Manush Teqes, Florian Zelës, Abaz Teqes e Arblin Harizit, si dhe një sipërfaqe 360 metër katror të Dorina Dushkut.

Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar në ngastrat e ekonomive pyjore 1/a dhe 2/a, në juridiksionin e Bashkisë Tiranë.

“Gjatë përpilimit të akteve përkatëse, është konstatuar se disa prej strukturave me hekur dhe beton si dhe muri rrethues janë të pozicionuara në një sipërfaqe të fondit pyjor e cila është dhënë në përdorim. Kjo skemë veprimi, sipas prokurorisë ka ndodhur si pasojë e përdorimit të të dhënave të rreme nga arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu nëpërmjet sistemit E-leje.”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria e Tiranës informon se hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosverimeve edhe të enteve publike, si dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm për veprat penale të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Të pandehur

Armand Prelezi, arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”

Klevis Bregu, arkitekt, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”

Manush Teqja akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Florian Zela, i akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Abaz Teqja, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Tefta Visha, akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Dorina Dushku akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”

Arblin Harizi akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Gani Moka akuzuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit”

Go to TOP