Rregullimi i kanalizimit e mosndotja e lumenjve i kontribuojnë ambientit

Sigurimi i ujit cilësor të pijshëm dhe ruajtja e burimeve të ujit nga format e ndryshme të kontaminimit jep mundësi për jetë të shëndetshme dhe prodhime cilësore ekologjike.

Përderisa shekulli 21 konsiderohet shekulli i sfidës për ujin e pijshëm, vise të ndryshme sikurse rasti  këtu në Hogosht të komunës së Kamenicës kanë burime të shumta të ujit, megjithatë mungesa e infrastrukturës së kanalizimit, përkatësisht ujërave të zeza bën që poshtë fshatit uji të jetë i ndotur dhe të jetë mos i përdorshëm për çdo gjallesë.

 Fshati Hogosht njihet me burime të mjaftueshme të ujit, ndërsa ndotja e lumit bëhet në pjesën e banueshme të thonë banorët rezident.

“Gjatë verës sidomos në sezonin gjatë Gushtit kur është vlugu i madh i nxehtësisë vjen edhe era e ujërave të zeza është pak problem me i hap dritaret fillojnë edhe mushkonjat, mizat a pjesën lart nuk ka diçka sepse na jemi lokaliteti i fundit këtu që i lëshojmë ujërat e zeza në lum”, tha për RTK, Sejdë Latifaj qytetar i Hogoshtit.

Edhe Festim Sermaxhaj, qytetar i Hogoshtit, tha se do të ishte mirë me ardhë me shikue se si derdhen nëpër lumenj ujërat e zeza me marrë masa mos me lanë kështu.

Ndotja e lumenjve ndodh edhe nga një pjesë e komunave Gjilan, Ranillug dhe Novobërdë. Kreu i Kamenicës,  Kadri Rahimaj, thotë se ndërtimi i impiantit të përbashkët do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë rajon.

“Neve sivjet jemi duke e ndërtuar kolektorin e ujërave të zeza në fshatin Hogosht, ndërsa në vitin e kaluar e kemi përfunduar në fshatin Shipashnicë. Këtë vit bëjmë riparimin e kolektorit në fshatin Korotin dhe këta lumenj që janë pasuri e Komunës  të mbrohen nga ndotja e ujërave të zeza’, tha Kadri Rahimaj kryetar i Kamenicës.

Rregullimi i rrjetit të kanalizimit dhe mosndotja e lumenjve i kontribuon ambientit, i cili është jetik për jetë më të mirë, pa dallim mjedis rural apo urban.

Go to TOP