Ramos: Më dhemb shpirti që nuk jam në Euro 2024

Sergio Ramos po e vuan mungesën e tij në Euro 2024. Ai nuk e fshehu një gjë të tillë, teksa u pyet lidhur me zgjedhjen e trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, për ta lënë atë jashtë Kombëtares për Kampionatin Evropian:

“Ajo që varej nga unë, domethënë të bëja një paraqitje të mirë me ekipin tim, ka qenë maksimale. Më dhemb shpirti që nuk jam atje me kombëtaren, por në futboll ka gjëra që nuk varen vetëm nga ti”, ka theksuar Ramos.

Një koment të tillë, ai e bëri në konferencën e tij lamtumirëse nga Sevilla.

Ramos shpjegoi tutje pse kishte vendosur të kthehej te skuadra e tij e zemrës: “E nisa këtë projekt sepse ishte çështje ndjenjash dhe zemre dhe jo parash. Doja ta bëja si nderim për Antonio Puerta, për Hose Antonio Reyes, për gjyshin tim dhe veten. Babai mezi priste të më shihte sërish duke luajtur këtu. Personalisht doja t’u tregoja të gjithëve origjinën time. E bëra këtë me paraqitje dhe përkushtim dhe tani largohem me kokën lart dhe me detyrën time të përmbushur”.

Lidhur me vonesën e tij për t’i thënë lamtumirë Sevillas, ai është shprehur: “Është një vendim i marrë në nivel personal dhe familjar. Kur largohesh nga shtëpia, nuk e merr vendimin shpejt. Doja që klubi të kishte kohë për të menduar për prurjet e reja”.

Së fundi, Ramos lidhet me një transferim të mundshëm në ligën amerikane MLS dhe ai nuk mohoi një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend që na tërheq shumë në nivel familjar, por deri më sot nuk ka asgjë të rënë dakord me asnjë ekip. Pensionimi? Nuk mendoj fare të pensionohem, jam ndjerë shumë mirë këtë vit. Jam i uritur të vazhdoj të konkurroj dhe ndihem i shëndetshëm për të vazhduar”, ka shtuar Ramos.

Go to TOP