Qerkezi me rol në operën e Verdit në festivalin finlandez

Sopranoja e njohur shqiptare, Marigona Qerkezi ka njoftuar se do të performojë në Festivalin prestigjioz të Operas “Savonlinna” përgjatë korrikut.

“Për shkak të një ndryshimi, jam e emocionuar të njoftoj se do të performoj si Abigaille në Nabucco të Giuseppe Verdit në një prodhim të ri në Festivalin prestigjioz të Operas Savonlinna në të gjitha datat: 6, 8, 11, 16, 19, 22, 24, dhe 26 korrik”, ka njoftuar sopranoja së cilës ju besohet ky rol për të parën herë.

“Nabucco” i Giuseppe Verdit tregon historinë e mbretit babilonas që pushtoi Jerusalemin dhe dërgoi popullin hebre në mërgim.

Ndërkaq festivali gjatë së cilës do të interpretoj Qerkezi njihet si ngjarja kryesore kulturore e Finlandës. Festivali njëmujor mbahet në Olavinlinna, një kështjellë mesjetare e lartë pranë liqenit më të madh të këtij vendi. Kjo krijon një atmosferë unike dramatike për 70.000 vizitorët e saj. /Kosova.info/

Go to TOP