Qëndrime në Bali, bileta për koncert të Beyonces: Të hyrat shtesë të gjyqtarëve të Supremes në ShBA

Reuters

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata të tilla si, qëndrime në hotele në Bali të Indonezisë, apo bileta për koncerte të yllit botëror, Beyonce, si dhe 1.6 milion dollarë si paradhënie për libra dhe për honorarë, teksa i kanë deklaruar të hyrat financiare për vitin 2023.

Gjyqtari konservator, Clarence Thomas, i cili është duke u kritikuar ashpër pse ka dështuar që të deklarojë dhuratat që ia bërë biznesmeni republikan Harlan Crow, e ka rishikuar deklarimin e vitit 2019 dhe ka thënë se ka pranuar “ushqim dhe akomodim” në një hotel në Bali dhe në një klub në Kaliforni.

Gjyqtarja liberale Kentaji Brown Jackson, ka thënë se ka pranuar katër bileta për koncertin e yllit Beyonce, në vlerë të 3.711 dollarëve.

Prej të dhënave është mësuar më shumë për të hyrat financiare të gjyqtarëve, jashtë punës së tyre në Gjykatën Supreme, për dhuratat dhe transaksionet tjera, të kryera vitin e kaluar.

Ata janë duke u vëzhguar prej afër, pasi po përballen me dilema të mëdha etike, meqë nuk kanë raportuar udhëtime luksoze, disa edhe me aeroplanë privatë.

Përveç biletave për koncertin e Beyonces, Jackon ka thënë se ka pranuar edhe vepra arti në vlerë të 12.500 dollarëve.

Gjyqtari konservator Brett Kavanaugh ka deklaruar “të hyrat nga honorarët” në grupin Javelin dhe shtëpinë botuese Regnery, në vlerë të 340.000 dollarëve.

Faqja online, Axios, ka raportuar të enjten se ai është duke shkruar një libër me kujtime, që pritet të publikohet më 2025 ose 2026.

Gjyqtari konservator Neil Gorsuch, i ka raportuar 250.000 dollarë për honorë të lidhura me libra, ashtu sikurse gjykatësja tjetër Sonia Sotomayor, për honorarë në vlerë të 87.000 dollarëve.

Të hyrat prej publikimeve janë të hyra shtesë përveç pagave të gjyqtarëve.

Këtë vit, tetë gjyqtarët do të marrin nga 298.500 dollarë, ndërsa kryegjyqtari, John Roberts, 312.000 dollarë.

Të hyrat financiare janë bërë publike për tetë prej nëntë gjyqtarëve, pasi gjyqtari Samuel Alito ka kërkuar shtyrje 90-ditore të afatit për të dorëzuar raportin e vet.

Allito është duke u kritikuar ashpër pas raportimeve për lidhje me tentimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të përmbysur humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Ai ka refuzuar që të tërhiqet prej dy rasteve të lidhen ne rezultatin e zgjedhjeve të atij viti, si dhe me sulmin në Kongresin amerikan, më 6 janar të vitit 2021.

Alito ka thënë se disa flamuj që kanë asociuar me lëvizjen e Trumpit “Ndaleni vjedhjen” – thirrje e lidhur me rezultatin zgjedhor – janë vendosur në shtëpinë e tij nga gruaja e tij, dhe asnjëri nuk e ka ditur që lidhen me ish-presidentin.

Nën presion të madh, dhe për shkak të standardeve etike, gjyqtarët e kanë miratuar të nëntor të vitit të kaluar kodin e tyre të sjelljes.

Kritikët dhe disa demokratë kanë thënë se ky kod i etikës nuk shkon mjaftueshëm larg për të promovuar transparencë.

Demokratët e kanë përmendur edhe nevojën e hartimit të një legjislacioni, pasi Alito ka refuzuar të tërhiqet prej rasteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e vitit 2022.

Go to TOP