Përfaqësues diplomatikë të disa shteteve anëtare në KiE e përgëzojnë Osmanin për suksesin e Kosovës

Në vazhdën e takimeve lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e këtyre shteteve përgëzuan Osmanin për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble.

“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë”.

“Në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e këtyre shteteve për Kosovën është e rëndësishme edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave”, thuhet në njoftim.

Përgjatë ditëve në vijim, Presidentja do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Evropës.

Go to TOP