Përdorimi i Tiktokut ka ndikim tek psikologjia e qytetarëve

Informimi i qytetarëve përmes rrjetit social TikTok, sikurse në shumicën e vendeve të botës, bëhet edhe në vendin tonë. Megjithatë, deformimi i informacionit, përmes lajmeve, pamjeve, videove, është çështje që ndikon që audienca të besojë sipërfaqësisht në atë çka sheh dhe çka dëgjon në TikTok.

Sociologia Bleona Kurteshi, duke folur për RTKlive, thotë se dinamika e mënyrës së jetesës së njerëzve ka bërë që qytetarët ta kenë më të lehtë ta marrin informatën përmes një lajmi të shkurtër, sesa të hulumtojnë në platforma të tjera.

“Tiktoku ka dy anë të medaljes; e para është demokratizimi i informacionit, ku çdo kush mund të marrë një informatë. Ana tjetër negative është që banalizohet informata , ku banalizohen disa çështje komplekse të cilat janë të rëndësishme, që duhet të ta kenë një trajtim më të duhur”, thotë ajo.

Duke folur për temat që trajtohen në Tiktok , sikurse temat për vetëvrasjen, dhunën ndaj grave, Kurteshi thekson se këto çështje banalizohen dhe njerëzit i marrin si shumë të thjeshta dhe nuk e trajtojnë në thelb rëndësinë e tyre.

“Sa i përket ndikimit të audiencës në informatat e Tiktokut, njerëzit të cilët nuk janë kompetentë të flasin rreth një teme të caktuar, në Tiktok e kanë të drejtën të dalin e të flasin dhe padyshim që njerëzit më pas ndikohen”, shtoi Kurteshi.

Ndërsa, psikologia Rozafa Gërguri thotë se Tiktoku përdoret në masë të madhe nga qytetarët e Kosovës, dhe doemos ka ndikim edhe tek psikologjia e qytetarëve.

“Në këtë rast ndajmë dy anë të këtij ndikimi, varësisht prej videove që kërkohen dhe shikohen, disa duke qenë shumë motivuese, pjesa tjetër shumë demotivuese, me mesazhe depresive, video që ngjallin lakmi, komplekse tek mënyra e jetesës tek të rinjtë, e shumë faktorë me prapavijë që lënë shenjë në psikologjinë e qytetarit, qoftë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme” tha Gërguri.

Ajo gjithashtu shtoi se ngjarjet që ndodhin në vendin tonë, së pari kuptohen përmes Tiktokut, pastaj përmes platformave apo rrjeteve tjera sociale.

Profesori i Gazetarisë, Arben Fetoshi, thotë se gazetaria është një shërbim profesional i informimit të balancuar për qytetarët, dhe kjo nuk po ofrohet në shumicën e platformave të rrjeteve sociale.

“Përdorimi shumë i madh i mediave sociale vazhdimisht po shkon duke u rritur dhe kjo i jep hov mundësive për dezinformim apo keqinformim, ku jepen informacione selektive dhe informacione gjysmake”, thotë për RTKlive Fetoshi.

Për përdorimin e mediave sociale, shqetësimet janë të ndryshme.

 “Shqetësimet ndahen në dy aspekte; e para ka të bëjë me varësinë, nga mënyra se si transmetohen informatat duke u bazuar në video të shkurta dhe e dyta ka të bëjë me shqetësimet edhe më të mëdha që lidhen me sigurinë kibernetike dhe shqetësimet për privatësinë”, thotë Fetoshi.

Sipas Fetoshit, TikToku ka një grumbullim jashtëzakonisht të madh të të dhënave, ku kompania amë e Tiktokut, që është me bazë kineze, ka bërë që në shumë vende të botës të marrin masa për kufizime eventuale dhe ndalimit të tërësishëm të rrjetit social Tiktok.

“Tek shqetësimet në vendin tonë, nuk ka ndonjë debat qe e ngrit shqetësimin për privatësinë, trajtimin e të dhënave të përdoruesve të Tiktokut, mirëpo, kemi të bëjmë me ndikimin shumë negativ të Tiktokut sa i përket dezinformimit potencial” , shtoi ai.

Tiktokeri i njohur i rrjeteve sociale, Miran Ramadani, thotë për RTKlive se njerëzit Tiktokun nuk po e përdorin vetëm për argëtim, por edhe për informim.

“Ka shumë media serioze që janë të pranishme në Tiktok dhe japin informacione në mënyrë të drejtë, mirëpo, në të shumtën e rasteve hasim në burime jo shumë të sigurta dhe në propagandë”, thotë Ramadani.

Ai gjithashtu potencon faktin se secili individ, nëse di ta përdorë Tiktokun, mund të përfitojë prej tij.

“Nëse e ke një talent, ushtron një profesion ose një punë që e njeh mirë, mjafton me qenë origjinal, dhe gjasat janë shumë të mëdha me e kriju audiencën tënde dhe me përfitu nga kjo”, thotë Ramadani.

Në fillimet e para, askush nuk e kishte parashikuar se TikToku do të pushtonte të gjithë botën.
Tiktok u lëshua për përdorim fillimisht në tregun kinez, në shtator të 2016, nga kompania “Byte Dance”. Më vonë, u zgjerua në treg në vitin 2017 për “iOS” dhe “Android”.

Tiktok u bë i disponueshëm në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, pasi u bashkua me një tjetër shërbim kinez të mediave sociale të quajtur Musical.ly me 2 gusht të vitit 2018.

Tani, në vitin 2024, TikToku është një ndër platformat me shikueshmërinë më të madhe, ku përfshinë rreth 1 miliard përdorues në mbarë botën. Tiktok është i përkthyer gjithsej në 39 gjuhë të botës. Në botë janë 4.8 miliardë përdorues të internetit, ku 20.83 % përdorin Tiktokun.

Autoritetet amerikane kanë urdhëruar agjencitë qeveritare që ta ndalojnë përdorimin e Tiktokut, për shkak të shqetësimeve rreth keqpërdorimit të të dhënave. Ndërsa, Parlamenti britanik vazhdoi duke ndaluar TikTok në të gjitha pajisjet qeveritare.

Gjithashtu, në Afganistan, Australi, Belgjikë, Kanada, Danimarkë, Francë, Indi, Indonezi, Letoni, Nepal, Norvegji, Pakistan, Somali, Tajvan, u morën masa për ndalimin e përdorimit të platformës sociale “Tiktok”, shkak i shqetësimeve të ndryshme rreth përdorimit të tij.

Go to TOP