Parlamenti i Gjeorgjisë e rrëzon veton e presidentes kundër ligjit për “agjentët e huaj”

Parlamenti i Gjeorgjisë e ka rrëzuar të martën veton e presidentes së vendit, Salome Zurabishvili, ndaj të ashtuquajturit ligji për “agjentët e huaj”.

Ky vendim i ka zemëruar protestuesit e mbledhur pranë ndërtesës së Parlamentit dhe do t’ia rrezikojë vendit rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ashtu siç pritej, e përshpejtoi votimin për rrëzimin e vetos më 28 maj. Ajo, së bashku me partinë aleate, Partia Demokratike e Gjeorgjisë, kanë 84 deputetë nga 150 sa ka Parlamenti gjeorgjian.

Për ta zhvlerësuar veton e Zurabishvilit nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 76 votash.

Deputetët gjeorgjianë e morën këtë vendim megjithëse Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare i kërkuan atyre të mos e rrëzojnë veton për një ligj të cilit shpesh iu referohen si “ligji rus”, për shkak të ngjashmërisë me legjislacionin që Kremlini e ka në fuqi për t’i heshtur opozitën dhe lirinë e shprehjes.

Ligji i kthehet tani presidentes Zurabishvili për ta nënshkruar. Nëse ajo nuk pranon, atëherë kryetari i Parlamentit, Shalva Papuashvili nga partia në pushtet, mund ta nënshkruajë ligjin dhe ta publikojë.

Qindra protestues, kryesisht të rinj, u mblodhën paqësisht pranë hyrjes së pasme të Parlamentit, ku kishte prani të madhe të policisë. Ata brohoritën “Jo ligjit rus” dhe valëvitën flamuj gjeorgjianë dhe të BE-së.

Priten protesta të tjera më vonë gjatë ditës.

Ligji për “agjentët e huaj” është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, si dhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka thënë se ai “nuk është në përputhje” me përpjekjet e kamotshme të Gjeorgjisë për t’iu bashkuara bllokut.

Sipas ligjit, i cili nxiti protesta disajavore që u shtypën dhunshëm nga autoritetet, mediat dhe organizatat joqeveritare do të detyrohen të regjistrohen si “ndjekëse të interesave të një pushteti të huaj”, nëse më shumë se 20 për qind e të hyrave të tyre janë financim nga jashtë.

Kritikët kanë thënë se ky legjislacion u soll nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, me qëllim për ta ruajtur pushtetit nga kjo parti, para zgjedhjeve të këtij viti, të cilat shihen si vendimtare për rrugën euroatlantike të Gjeorgjisë.

Ëndrra Gjeorgjiane ka ngulur këmbë se mbetet e përkushtuar që t’iu bashkohet institucioneve perëndimore dhe ka thënë se ligji ka për qëllim vetëm rritjen e transparencës për financimin e OJQ-ve.

Shoqëria civile e Gjeorgjisë ka vite që përpiqet ta largojë vendin nga ndikimi i Rusisë, e cila ende mban mijëra trupa në Osetinë Jugore dhe në Abkazia, dy rajonet e shkëputura gjeorgjiane që Moska i njohu si shtete të pavarura pas një lufte pesëditore me Tbilisin më 2008.

Por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë paralajmëruar Ëndrrën Gjeorgjiane se shpërfillja e kritikave dhe lufta e dhunshme ndaj protestuesve do të ketë pasoja negative për të.

Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje të thellë” për vendimin për ta zhvlerësuar veton e Zurabishvilit.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se ligji i miratuar nga Parlamenti gjeorgjian nuk është në përputhje me parimet themelore dhe vlerat e BE-së”, thuhet në komunikatë.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve gjeorgjiane të heqin dorë nga ky drejtim dhe të kthehen në rrugën evropiane. Ende ka kohë për t’i ndryshuar dinamikat – por nevojitet një përkushtim i fuqishëm nga autoritetet qeverisëse”, thuhet tutje në komunikatën e bllokut.

Ajo tha gjithashtu se vendet anëtare “janë duke i shqyrtuar të gjitha opsionet për të reaguar ndaj këtyre zhvillimeve”.

Gjeorgjia e mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE më 14 dhjetor, por ende nuk i ka nisur bisedimet me bllokun, të cilat mund të zgjasin me vite.

Kryeparlamentarët e shtatë vendeve anëtare të BE-së – Republikës së Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Francës, Holandës dhe Polonisë – i bënë thirrje më 27 maj përmes një komunikate të përbashkët deputetëve gjeorgjianë ta zhbëjnë këtë ligj.

Ndërkohë, shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 27 maj se BE-ja ka filluar t’i shqyrtojë mundësitë, nëse Gjeorgjia e fut në fuqi këtë ligj.

Ai shtoi se një vendim do të merret muajin e ardhshëm.

Go to TOP