Panairi i librit, botuesit: Numri i vizitorëve nuk është i kënaqshëm

Krahasuar me vitet e kaluara, numri i vizitorëve në panairin e librit Prishtina 2024 është ndjeshëm më i vogël. Kështu tha Besir Zyberi, pronari i shtëpisë botuese “Magjia e librit”.

“Dalluar nga vitet e kaluara po vërehet që ka rënie. Këtë vit teknologjia e ka bërë të vetën si duket”  u shpreh Zyberi.

Megjithatë shumë lexues “besnik” kanë gjetur kohën që ta vizitojnë panairin e të njoftohen me titujt e rinj.  Hana Haradinaj tha se leximi luan një rol të rëndësishëm në zhvillim, sidomos te moshat e reja.

“Leximi zhvillon trurin e njeriut dhe ky panair ka tendencë ta rrit këtë tek vetëdija e qytetarëve”, tha ajo.

Në panairin e këtij viti po marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese të cilat kanë ekspozuar mijëra tituj të zhanreve të ndryshme .

“Shumica nga shtëpitë botuese sjellin botime e reja të viteve të fundit. Në total kemi 6000 tituj të viteve të fundit”, deklaroi Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Zeneli tha se panairi i librit është ngjarja kryesore e librit që ndodhë në Kosovë.

“Në këtë formë është një mundësi e mirë për të gjithë qytetarët të vinë ta vizitojnë panairin, të njoftohen nga afër me tituj të e rinj dhe të pajisen me libra që dëshirojnë t’i lexojnë”, theksoi ai.

Edicioni i 24-të i Panairit të Librit “Prishtina 2024” u hap me datë 5 qershor në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.  Me moton “Përgjigjja është libri” ky panair ka mbledhur botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Panairi u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës. /rtk/

Go to TOP