Kombëtare

Në mesin e të vdekurve nga aksidenti në Kroaci edhe një prizrenas

Njëri nga dhjetë të vdekurit nga aksidenti i djeshëm që ka ndodhur në Kroaci, është nga qyteti i Prizrenit.

Këtë e bëri të ditur Mytaher Haskuka, kryetar i kësaj komune, derisa iu ka shprehur ngushëllime familjarëve.

“Dje të gjithë u tronditëm nga lajmi për tragjedinë që ndodhi në Kroaci, ku mërgimtarët tanë ishin nisur për të ardhur në vendlindjet e tyre, pranë familjarëve, miqve e më të dashurve. Njëri prej tyre ishte edhe Hamet Hoxha, nga fshati Randobravë i komunës së Prizrenit, i cili së bashku me udhëtarët e tjerë, ishte nisur nga Gjermania për t’u çmallur me mëmëdhenë”.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe të afërmit e të ndjerit. Në këtë gjendje tejet të vështirë, lutemi që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë dhimbje. Ngushëllime për gjithë familjarët e viktimave! Zoti i mëshiroftë, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, ka shkruar Haskuka në rrjetin social Facebook.