NATO: Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është çështje e Serbisë

Zyra Ndërlidhëse e Misionit Ushtarak të NATO-s në Beograd tha se çështja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi është çështje e autoriteteve shtetërore serbe.

“NATO do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Serbisë për të modernizuar forcat e saj të armatosura brenda kornizës së zhvillimit dhe partneritetit dypalësh”, tha NATO në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë më 10 janar.

Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s tha po ashtu se respekton plotësisht neutralitetin ushtarak të Serbisë.

“Gjithçka që Serbia dhe NATO-ja bëjnë së bashku është e përshtatur që të plotësojë nevojat e Serbisë dhe të ndihmojë atë të përmirësojë forcat e saj të armatosura në bazë të kornizës së Partneritetit për Paqe”, u tha në përgjigjen e Zyrës Ndërlidhëse të aleancës në Beograd.

Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe dhe propozimi i është dërguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar.

Në shpjegimin e saj, ushtria tha se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

Serbia kishte hequr dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak më 1 janar 2011 dhe që atëherë vetëm personat që duan, mund t’i bashkohen ushtrisë.

Serbia e ka deklaruar veten si shtet ushtarakisht neutral dhe kjo është përfshirë edhe në Strategjinë e Mbrojtjes dhe Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, që janë miratuar nga Parlamenti më 2019.

Zyrtarët serbë kanë thënë se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet NATO-s, me të cilën bashkëpunon që nga viti 2006 përmes Programit të Partneritetit për Paqe. Serbia është një nga vendet e pakta në Ballkanin Perëndimor që nuk dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake perëndimore.

Go to TOP