Myftiu Tërnava: Agjërimi është forcë për besimin dhe solidaritetin
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka theksuar rëndësinë e agjërimit si një praktikë shpirtërore dhe edukative, duke e cilësuar atë si një mjet që forcon besimin dhe solidaritetin mes besimtarëve.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, theksoi se agjërimi është një praktikë që ka një histori të thellë dhe ka qenë obligim edhe për popujt e tjerë para profetit Muhamed. “Nëse i kthehemi historikut të agjërimit, mund të themi bazuar në thëniet e të madhit Zot në Kuran, se ai ka qenë obligim edhe te popujt tjerë para profetit Muhamed,” deklaroi Tërnava në një interviste në kuadër të emisioneve dedikuar muajit të Ramazanit të realizuara nga RTK-së në bashkëpunim me Bashkësisë Islame të Kosovës
“Ramazani është solidaritet, edukim, vetëdijesim sepse agjërimi sjell një frymë të re që nuk ka qenë gjatë 11 muajve të tjerë,” tha myftiu, duke theksuar se agjërimi është një mundësi për t’u forcua në durim dhe qëndresë.
Tërnava mes tjerash foli për përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe shoqatës humanitare “Bereqeti”, të cilët kanë ndihmuar mbi 20 mijë familje vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Ai falënderoi Qendrën e Mbreti Selman nga Arabia Saudite për ndihmën ndaj 8160 familjeve dhe bizneset kosovare për ofrimin e mbi 1000 pako ndihmash. “BIK jep me mijëra ifatare gjatë këtij muaji,” tha ai, duke përmendur gjithashtu shpërndarjen e 253 tonëve mish vitin e kaluar për njerëzit në nevojë.
Gjatë intervistës, Tërnava theksoi rëndësinë e natës së Kadrit. “Natës së Kadrit ia shton vlerën Kurani. Ramazani është muaji në të cilin zbret Kurani. Kjo natë është rasti më i mirë që i jepet njeriut për faljen e mëkateve,” tha ai.
Mes tjersh ai theksoi unitetin dhe bashkëpunimin mes të gjitha bashkësive fetare shqiptare në Kosovë, duke thënë se janë të bashkuar për të kontribuar për të mirën e atdheut, pavarësisht besimeve të ndryshme. “Kemi një gjak, një gjuhë dhe një vatan dhe jemi urdhëruar që t’i dalim zot këtij vatani,” tha Tërnava, duke theksuar se besimet fetare janë një mundësi për të ofruar më shumë mirësi dhe bashkëpunim mes shqiptarëve.
Në fund, ai komentoi vrasjet e fundit në vend, duke theksuar se është momenti i fundit për të adresuar këtë fenomen dhe për të angazhuar të gjitha institucionet e Kosovës në një studim të thelluar të tij. Ai bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet qeverisë, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Kishës Katolike për të analizuar shkakun e këtyre veprimeve dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për parandalimin e tyre. “Nuk ka kohë për të qëndruar me sy të mbyllur. Duhet të reflektojmë dhe të pyesim veten: Pse po ndodhin këto vrasje? Për çfarë arsyeje?,” tha Tërnava. Ai theksoi se sipas fesë islame, vrasja e njeriut është mëkati më i madh, dhe theksoi se vetëm Zoti ka të drejtën për të marrë jetën.
