“Molla e Kuqe” e UÇK-së dënohet më 9 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte
Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar të akuzuarin R.Sh., me nofkën “Molla e Kuqe” më 9 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas gjykatës, “Molla e Kuqe”, gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, si pjesëtar i UÇK-së, për shkak të dyshimit se H.P., ka bashkëpunuar me forcat serbe, bashkë me 5-6 ushtarë të tjerë kanë shkuar të shtëpia e tij dhe e kanë marrë peng.
“Te dyert e oborrit e kanë thirrur emrin e tij dhe pasi i dëmtuari A.P., , djali i viktimës, i përgjigjet thirrjes dhe i fton të hyjnë, të njëjtit kanë hyrë në oborrin e shtëpisë, i akuzuari i cili u printe dhe ishte i vetmi pa maskë në fytyrë, ka kërkuar të takohet me viktimën H.P., i cili në atë moment ishte brenda në shtëpi, pas njoftimit nga A, ai del në oborr, ku i akuzuari e pyet “a je ti H.”, pas përgjigjes se të dëmtuarit “po unë jam”, pas një bisede të shkurtë, i akuzuari kërkon prej tij që të shkojë me ta se “dëshirojmë me pas një bisedë më të gjatë me ju””.
:Kur viktima thotë “po, ku të doni vetëm të marr cigaret”, i akuzuari i thotë “hajde se ne i kemi të gjitha” dhe kur kanë dal nga dyer të oborrit, viktimën e kanë kapur nga duart duke vazhduar në këmbë në drejtim të lagjes së Qatani dhe pas disa çaste i dëmtuari A.P., i sheh dritat e automjetit duke lëvizur nga lagja Qatani në drejtim të fshatit Grejqevcë dhe pas mbajtjes së tij për disa ditë të mbyllur në vende të paidentifikuara, me datën 01. korrik 1998, trupi i pajetë i viktimës H.P., është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në njoftimin e gjykatës, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, gjykata ka marrë vendim që të akuzuarit t’i llogarite tkoha e kaluar në paraburgim nga data 24 maj 2019 dhe t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kujtojmë se për të njëjtin rast, Gjykata Themelore në Prizren në korrik të vitit 2019 kishte marrë aktgjykim ku i akuzuari R.Sh., ishte shpallur fajtor për “krime lufte kundër popullatës civile”, dhe ishte dënuar me 14 burgim.
Ndërsa, Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019, e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, vetëm mbi dënimin, ku të akuzuarit R.Sh., i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh.
Gjykata Supreme, më 2 mars të vitit 2020, ka marrë Aktgjykim, dhe çështja i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë, pra Gjykatës Themelore në Prizren në rivendosje.
