Mitaj thotë se Italia është harruar dhe se fokusi është te Kroacia

Mbrojtësi i Shqipërisë, Mario Mitaj, ka deklaruar se gjithë përqendrimi i skuadrës është te ndeshja e ardhshme me Kroacinë.

Të dy kombëtaret do të përballen të mërkurën në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit B. Shqipëria vjen në këtë ndeshje pas një humbjeje të ngushtë ndaj Italisë me rezultatin 2-1, ndërsa Kroacia ka pësuar një humbje të thellë nga Spanja me rezultatin 3-0.

Mitaj është shprehur se skuadra ka lënë pas ndeshjen me Italinë dhe po përgatitet me seriozitet për përballjen me Kroacinë. “E kemi harruar ndeshjen me Italinë dhe mërzinë që patëm nga ajo ndeshje. Ne po përgatitemi dhe e kemi analizuar mirë Kroacinë. Duam të futemi në fushë dhe të luajmë futbollin tonë”, ka thën ëai. “Tani na intereson vetëm Kroacia dhe ishalla marrim rezultatin më të mirë e pastaj të shohim ndeshjen me Spanjën.”

Mitaj ka theksuar rëndësinë e përgatitjes taktike dhe analizës së kundërshtarit. “I dimë cilësitë që ka Kroacia dhe sa e fortë është si skuadër. Sot është stërvitja që do të jemi të gjithë bashkë, dje ka qenë më shumë stërvitje rikuperimi. Sot do t’i analizojmë më shumë taktikisht dhe si do të futemi ne në fushë. Sot është dita që do të përgatitemi për Kroacinë. Kroacia të gjithë repartet i ka të forta, besoj se mbrojtjen kanë pikën më të fortë”, ka thënë ai. 

Mitaj gjithashtu ka pranuar se grupi në të cilin ndodhet Shqipëria është shumë i vështirë, duke e quajtur atë “Grupi i vdekjes”. “Ne nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët, ashtu siç e kanë thënë të gjithë është ‘Grupi i vdekjes’. Kroacia mund të marrë edhe vendin e parë. Të përgatitemi, të analizojmë kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë për të marrë një rezultat të mirë”, ka thënë ai. 

Duke përmendur lojtarët kyç të Kombëtares, Mitaj ka shprehur besimin se ata mund të bëjnë diferencën në ndeshjet e ardhshme. “Besoj se në përgjithësi të gjithë ne mund të luftojmë për të luajtur sa më mirë me Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja me cilësitë e tij dhe Asani me goditjet e tij. Të luajmë sa më mirë dhe ta çojmë Kombëtaren sa më lart. Të gjithë lojtarët, por mendoj se Broja mund të jetë lojtari që mund të bëjë dëm”, ka thënë ai. 

Go to TOP