Me ceremoni ushtarake rivarroset dëshmori Remzi Maksuti
Me ceremoni ushtarake sot u bë rivarrimi i eshtrave të dëshmorit të kombit, ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Bejtullah Maksuti, i rënë në altarin e Lirisë, në betejën e 28 majit të vitit 1999 në Lubovec të Skenderajt.
Me këtë rast para të pranishmëve kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, duke vlerësuar lartë kontributin e dëshmorit Remzi Maksuti, tha se ai si 25 vjeçar ishte një luftëtar shembull, i vendosur, guximtar dhe i betuar për të luftuar deri në frymën e fundit. Ai, si shumë luftëtar tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk pati fatin që të përjetojë lirinë por ai me vetëdije të plotë u bë themel i lirisë që sot e gëzojmë.
“Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë e punojnë falë gjakut të derdhur të luftëtarëve si Remziu e luftëtarë tjerë që ndalën gjenocidin serb që po zhvillohej mbi popullin tonë të pafajshëm e autokton”, tha tutje Jashari.
Jashari në fund bëri thirrje që të jemi të bashkuar sipas tij në jetësimin e idealit dhe misionit të tyre të shenjtë, sepse dëshmorët e martirët nuk kanë rënë që ne vetëm të jemi të lirë e të na ka kaploje varfëria dhe përçarja por ata kanë ra që ne të jemi të bashkuar, të kemi mirëqenie e të ardhme më të mirë.
Nga ana tjetër në emër të familjes, vëllai i dëshmorit, Shemsi Maksuti, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ceremoni të rivarrimit të dëshmorit, Remzi Maksuti.
![](https://kosova.info/wp-content/uploads/2021/06/Remzi3-768x465-1.jpg)
![](https://kosova.info/wp-content/uploads/2021/06/Remzi-1-1024x657.jpg)
![](https://kosova.info/wp-content/uploads/2021/06/Remzi2-768x439-1.jpg)
![](https://kosova.info/wp-content/uploads/2021/06/Remzi1-768x513-1.jpg)