Maqedonia e Veriut: Osmani-Sadriu në takim me Kovaçevski
Shkup, 26.04.2023
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka takuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë transmeton Kosova.info.
Osmani-Sadriu falënderoi kryeministrin Kovaçevski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai përmendi votimin në komisionin ndërministror të Këshillit të Evropës dhe kërkoi vazhdimin e kësaj mbështetje në përpjekjet e ardhshme të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu prezantoi potencialin e madh të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo foli edhe për bashkëpunim të mirë në fushën e sigurisë, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, u diskutua për rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë në rajon, i cili paraqet kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ndërkohë, sa i përket marrëveshjes së Brukselit, ajo vlerësoi se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta në kontekstin e marrëdhënieve ndërshtetërore, sepse njohin parimin e barazisë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial ndaj njëra-tjetrës.
Ajo bëri të ditur se në këtë proces Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet.
Në këtë takim ndër të tjera u theksua nevoja e intensifikimit të lëvizshmërisë së qytetarëve, së bashku me finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare, si dhe lehtësimin e biznesit. U diskutua edhe ideja e organizimit të një forumi të përbashkët biznesi, si dhe finalizimi i pjesës së mbetur të autostradës Bllacë-Shkup.
