Lazio-Lokomotiv Moskë/ Sarri i beson Vedat Muriqit në Europa League

Ndeshjen e parë në grupet e Europa League, Lazio e humbi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Galatasaray-t në Stamboll, për shkak të një gafe të portierit Thomas Strakosha, megjithatë trajneri Maurizio Sarri është gati të konfirmojë sërish gardianin shqiptar në përballjen me rusët e Lokomotivës së Moskës.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri i bardhekaltërve vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe zbuloi se një alternativë për të luajtur nga minuta e parë është edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

“Ndaj Lokomotivës fitorja bëhet detyrim, pasi kemi humbur ndeshjen e parë. Jam përballur me ta para dy vitesh kur isha te Juventus dhe ua di forcën. Në sulm mund ta nisë nga minuta e parë Muriqi, që po bën mirë dhe ndaj Torinos fitoi penalltinë. Sigurisht që mund të bëjë më tepër, por po e interpreton rolin në mënyrë determinante”, deklaroi Sarri.

Tekniku i Lazios ka komentuar edhe reagimin e mesfushorit Luis Alberto, që nuk e fshehu pakënaqësinë për zëvendësimin në derbin me Romën.

“Më vjen mirë që një lojtar acarohet kur zëvendësohet, pasi kështu motivohet të bëjë më mirë në të ardhmen. Shqetësim është kur pranon qetësisht zëvendësimin. Megjithatë ai është një kampion dhe të gjithë ia njohim vlerat”, u shpreh italiani.

Go to TOP