Kthimi i astronautëve në Tokë pas avarive në sondën e kompanisë Boeing

Dy astronautë që duhet të ishin kthyer në Tokë javë më parë, thanë të mërkurën se janë të sigurt se sonda hapësinore e firmës Boeing mund t’i kthejë ata në mënyrë të sigurte nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, pavarësisht nga avaritë.

Pilotët testues të NASA-s, Butch Wilmore dhe Suni Williams, ishin të parët që fluturuan në bordin e sondës së re “Starliner” të firmës Boeing në fillim të muajit të kaluar dhe ishin parashikuar të ktheheshin në Tokë më 14 qershor.

Rrjedhje të lëndës helium dhe avaritë në mekanizmin shtytës pothuajse minuan udhëtimin e tyre në hapësirë dhe këto probleme kanë shtyrë kthimin e tyre në Tokë.

Në konferencën e tyre të parë për shtyp nga orbita, ata thanë se presin të kthehen sapo të përfundojë testimi i mekanizmit shtytës në Tokë. Ata thanë se qëndrimi më i gjatë në orbitë nuk përbën shqetësim dhe se po ndihmojnë ekuipazhin e stacionit hapësinor.

“Kam një ndjenjë shumë të mirë në zemër që sonda hapësinore do të na sjellë në shtëpi pa probleme”, tha zonja Williams për gazetarët.

Këtë javë, NASA dhe kompania Boeing po përpiqen të përsërisin në mënyrë identike problemet e mekanizmit shtytës të sondës “Starliner” në një sondë të re në një nga qendrat kryesore të uljes dhe lëshimit të raketave në shkretëtirën perëndimore amerikane në Nju Meksiko. Problemi qëndron në sistemin shtytës që përdoret për të manovruar sondën.

Pesë pajisje shtytëse dështuan ndërsa sonda iu afrua stacionit hapësinor më 6 qershor, një ditë pas lëshimit. Deri tani, katër pajisje shtytëse janë riaktivizuar. Zonja Williams tha se sonda duhet të ketë fuqi të mjaftueshme për të dalë nga orbita dhe nëse është nevojshme mund të vihen në punë edhe motorë më të mëdhenj.

“Dështimi nuk është alternativë, kjo është arsyeja që po qëndrojmë këtu tani”, tha zoti Willmore. “Ne besojmë se provat që po bëjmë janë ato që duhet të bëjmë për të gjetur përgjigjet e duhura, për të zbuluar të dhënat që na duhen për t’u rikthyer”.

Astronautët Wilmore dhe Williams, kapitenë të marinës amerikane, të cilët tashmë kanë vizituar disa herë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, theksuan vazhdimisht përpara nisjes se kishin besim të plotë në aftësinë e kompanisë Boeing për ta kryer me sukses provën e fluturimit.

Firma Boeing dhe NASA i konsiderojnë thelbësore provat në Nju Meksiko për të përcaktuar se çfarë mund të ketë ndodhur, pasi ajo pjesë e kapsulës, moduli i transportit, hidhet para uljes së sondës. Rrjedhjet ndodhen gjithashtu në këtë pjesë të modulit që shkëputet.

Kompanitë Boeing dhe SpaceX nënshkruan kontrata me qeverinë amerikane një dekadë më parë për dërgimin e astronautëve të NASA-s në stacionin hapësinor. Agjencia hapësinore donte dy kompani konkurruese amerikane për dërgimin e astronautëve të saj në hapësirë pas ndërprerjes së programit të fluturimeve me anije hapësinore.

NASA pagoi kompaninë Boeing 4.2 miliardë dollarë dhe kompaninë SpaceX mbi 2.5 miliardë dollarë. SpaceX e modifikoi kapsulën që e përdorte për dërgimin e furnizimeve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për të realizuar synimin e dërgimit të astronautëve në hapësirë.

Në vitin 2020 SpaceX realizoi me sukses udhëtimin e parë provë me astronautë në bord, duke u bërë kompania e parë private që arriti të bënte atë që vetëm tre shtete të botës, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, ishin në gjendje ta bënin. Ajo ka dërguar nëntë ekuipazhe të NASA-s në stacionin hapësinor dhe tre grupe private.

Go to TOP