Kryeministri i parë shqiptar nuk është as zbulim i vitit 2001 e as i vitit 1990, por kërkesë e kamotshme e shqiptarëve për barazi në RMV

Shkruan: Ejup BERIShA

Ditën e diel pas përfundimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale këtu në vendin tonë kryeministri i Qeverisë së RMV-së Zoran Zaev dha dorëheqje i pakënaqur me rezultatin zgjedhor të Partisë së tij LSDM-së në to.

Ai dorëheqjen e tij e paralajmëroi gojarisht por për tu zbatuar ajo duhet të dorëzohet në Kuvend te kryetari i saj Talat Xhaferi me qëllim që i njëjti ta ve atë në rend dite dhe dorëheqja të konstatohet në njërën nga mbledhjet plenare nga ana e deputetëve të Kuvendit. Pra sipas një logjike nëse realisht efektuohet dorëheqja e Kryeministrit Z.Z RMV do të jetë me Qeveri në dorëheqje sepse dorëheqja e Kryeministrit nënkupton dorëheqjen e tërë anëtarëve të Qeverisë. Edhe pse e njëjta përbërje Qeveritare në dorëheqje mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pas paralajmërimit të Kryeministrit Zoran Zaev për të dhënë dorëheqje te subjektet politike kanë filluar konsultimet dhe janë rritur apetitet se kush do të jetë kushtimisht thënë trashëgimtari i Kryeministrit Z.Z.

Edhe pse në shtetet demokratike nuk duhet të ketë trashëgimtar postesh shtetërore dhe publike por pasues të tyre sepse vendet e zbrazura në poste shtetërore dhe publike ku funksionarët japin dorëheqje detyrimisht duhet të plotësohen me qëllim që të mos ketë zbrazëti në to.

Kur them trashëgimtar mendoj për zgjidhje apo përcaktim personal të funksionarit të dorëhequr i cili do të thoshte postin e Kryeministrit do ta merr ky apo ai person. Pra postet politike në shtetet demokratike janë të zgjidhshme e jo të trashëgueshme dhe për marrjen e tyre mund të paraqitet si kandidat çdo kush që i plotëson kushtet kushtetuese dhe ligjore. LSDM pretendon se postin e Kryeministrit duhet ta merr kuadër i saj, VMRO-DPMNE gjithashtu ka ambicie ta merr postin e Kryeministrit e trimëruar nga fitorja e saj në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim dëshiron që posti i Kryeministrit ti takoj një kandidati shqiptar duke dashur ta realizoj premtimin e saj të dhënë gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020. Ky propozim i saj nuk u realizua atë kohë se pse jo shkaqet i din vetëm se udhëheqja e kësaj partie në krye me udhëheqësin partisë Ali Ahmeti. Kur jemi te Kryeministri i parë shqiptar për hire të së vërtetës vlen të thuhet se ideja për Kryeministrin e parë shqiptar në RMV nuk është zbulim i vitit 2001 apo i BDI-së e as zbulim i vitit 1990 i PPD-së por e njëjta është synim, ambicie dhe kërkesë e mëparshme e shqiptarëve që jetojnë këtu për barazi me popujt e tjerë. Prandaj them që ideja nuk është ndonjë risi por është nevojë e kamotshme me të cilën do të dëshmohej se edhe shqiptarët që jetojnë këtu kanë aftësi dhe kapacitete të udheheqin Qeveri dhe të zbatojnë politika qeveritare

Kur jemi te ideja e Kryeministrit të parë shqiptar këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet thënë se i njëjti nëse zgjidhet duhet të jetë një person shumë i forte dhe të ketë kondicion të mjaftueshëm sepse i njëjti gjatë tërë kohës duhet të vrapoj për ti kryer funksionet dhe detyrimet e tija kushtetuese dhe ligjore. Në periudhë parazgjedhore nuk do te jetë asgjë më tepër se kaq sepse të njëjtit duhet të tërë kohës të vrapoj e punoj për përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve të radhës parlamentare. Apo shkurt duhet thënë që Kryeministri i parë shqiptar do të jetë argat në shërbim të pasardhësit te tij maqedonas me qëllim që këtij të fundit të ja siguroj vendin e të parit të Qeverisë në katër vitet e ardhshme të mandatit qeveritar. Duhet thënë se sa i përket pozicionit apo reputacionit të tij Kryeministri i parë shqiptar do të jetë një personalitet i padukshëm në opinion sepse i njëjti do të bie nën hijen jo vetëm se të liderit të partisë së tij amë por ai do të jetë edhe nën hijen e të gjithë liderëve të partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare. Te njëjtit tridhjetë dite do ti duhen ti pranoj urimet dhe përshëndetjet për marrjen e postit dhe tridhjetë ditë pas ushtrimit të detyrës ti pranoj ngushëllimet për përfundimin e detyrës. Sa për vendime dhe të arritura në interes të shqiptarëve në rrethanat dhe kushtet në të cilat kryeministri shqiptar do ta ushtroj postin e tij as që mund të flitet diçka e veçantë. Unë personalisht po të më ofrohej posti i kryeministrit në njëqind ditshin e fundit të mandatit qeveritar të njëjtin nuk do ta pranoja sepse ky do të jetë post argati për të cilin duhet shumë mund, sakrifica dhe punë do të thoja për pak  përfitime në adresë të tij për dallim prej përfitimeve të pas-ardhësit të tij. Mirëpo meqë dikush ka vendosur kështu atëherë ndonjë person me siguri se edhe do të jetë edhe i privilegjuar që ta pranoj postin e njëjtë kuptohet nëse propozuesi i tij e ka me gjithë mend ta realizoj propozimin e dhënë.

Go to TOP