KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë

Në Kosovë sot (14 nëntor) qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë të dielën se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Në konferencën e parë për media të KQZ-së, Elezi i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë duke dalë për të votuar.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Vendvotim në një shkollë në Prishtinë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, 14 nëntor 2021.
Vendvotim në një shkollë në Prishtinë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, 14 nëntor 2021.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

Go to TOP