Kongresisti Moulton i bashkohet Kaukusit shqiptar në Kongresin Amerikan

Javën e kaluar botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami zhvilloi disa takime me kongresistë dhe këshilltarë në Kongresin Amerikan. Një nga rezultatet e para të këtyre bisedave ishte vendimi i kongresistit Seth Moulton nga Distrikti 6 në Massachusetts për t’iu bashkuar Kaukusit të çështjeve shqiptare.

“Kongresisti Moulton e njoftoi për vendimin e tij botuesin Bajrami me anë të një mesazhi personal në të cilin shpreh edhe kënaqësinë për takimin e një jave më parë si dhe e fton për të bashkërenduar veprimet në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e “Illyrias”.

“Jam krenar që i jam bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare. Si grupi kryesor i anëtarëve kongresionalë që përqendrohet në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe diasporën shqiptare, Kaukusi siguron një platformë të vlefshme për të çuar përpara paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon”, tha Moulton.

Seth Moulton ka shërbyer si oficer i Marinsave Amerikanë dhe në Kongresin Amerikan është veç të tjerash anëtar i Komitetit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

Vehbi Bajrami punon prej dekadash në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në ShBA. Ai është botues i librit të njohur “Shqiptarët e Amerikës”, si dhe ka shërbyer si Drejtor i Programit të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe.

I drejtuar nga dy kongresistë demokratë dhe dy republikanë, Kaukusi bashkon anëtarë të Kongresit Amerikan që tregojnë interes dhe veprojnë në mbështetje të kauzave shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe institucione të tjera në Washington.

Go to TOP